Ndërlidhjet

Pajtim për zgjedhje të parakohshme, jo për datë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ranë dakord në parim që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke e lënë kështu anash mundësinë e zgjedhjes së një presidenti të ri që do ta pasonte Sejdiun. Mirëpo, të dy partitë e koalicionit thonë se kanë nevojë për më shumë konsultime në lidhje me caktimin e kohës së shpalljes së këtyre zgjedhjeve.


Partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë po zhvillojnë takime konsultative në lidhje me gjetjen e një konsensusi për datën e zgjedhjeve të parakohshme pas gjendjes së krijuar me dorëheqjen nga posti i presidentit i Fatmir Sejdiut.

Aktualisht dy kreatorët e marrëveshjes së koalicionit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, janë pajtuar që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe jo propozim për presidentin e ri.

Por, mbetet për debat çështja e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se PDK-ja kërkon që institucionet e Kosovës, përfshirë edhe institucionin e presidentit, do të duhej të zgjidhen në një afat prej gjashtë muajve.

Ndërsa, nuk saktësoi se cilat janë preferencat e PDK-së për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk është që ta kemi një qeveri jofunksionale dhe me legjitimitet jo të plotë demokratik, nuk është që ta kemi një Kuvend që nuk funksionon si duhet dhe me legjitimitet demokratik”.

“Po ashtu, proceset, në të cilat do të përfshihet Kosova, në veçanti kam parasysh proceset integruese, bisedimet me Serbinë, shtrojnë nevojën që të kemi institucione legjitime, stabile dhe të konsoliduara”
, tha Kuçi.

PDK-ja është partia e vetme që deri më tani nuk e ka përjashtuar as opsionin e zgjedhjeve të shpejta. Mirëpo të premten, nënkryetari i saj dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se as PDK-ja nuk ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme që do të mbaheshin në një afat prej 45 ditësh. Kuçi theksoi, po ashtu, se afati i mbajtjes së zgjedhjeve kërkon një konsensus të gjerë politik.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme në kuptimin e asaj që dikush të hapë dilema për organizimin, transparencën dhe format tjera. Ne jemi që të mbajmë zgjedhje në afatin optimal kur ato të përgatiten mirë, të organizohen mirë”,
theksoi Kuçi.

Ndërkohë, ishte presidenti i dorëhequr, aktualisht kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ai i cili mblodhi sërish Kryesinë e LDK-së për të diskutuar pozicionin e kësaj partie politike në raport me konsultat që po zhvillohen ndërmjet dy partive në koalicion.

Sejdiu tha se afati optimal për zgjedhjet e parakohshme është koha prej 4 - 6 muaj.

“Mendoj se zgjedhjet nuk do të ndodhin në asnjë rrethanë pa u krijuar rrethanat e përshtatshme. Gjithmonë e them brenda respektit të kornizës ligjore. E para është që duhet të bëhet punë e mirë në reformën e procesit zgjedhor, apo ligjit mbi zgjedhjet”.

“Pra, afatet kohore të ditura janë 4 - 6 muaj dhe në këtë kornizë kohore mund të gjendet hapësira, e cila nuk cenon as afatin ligjor, por as aspektet tjera që do të ishin rrethana rënduese për Kosovën”,
u shpreh Sejdiu.

Përveç partnerëve të koalicionit, në bisedimet për zgjedhjet e parakohshme tashmë janë përfshirë gati se të gjitha partitë politike dhe se konsultimet po zhvillohen nën drejtimin e ushtruesit të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Ndërsa, më nuk po shtrohet si çështje zgjedhja e një presidenti që do të zëvendësonte Sejdiun, ngase çështja kryesore mbetet koha e thirrjes së zgjedhjeve dhe zbatimi i reformave zgjedhore që duket gati se i pamundur në një afat të tillë kohor sa ka mbetur deri në zgjedhje.
XS
SM
MD
LG