Ndërlidhjet

Korrupsioni (edhe) në nivelin lokal


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dukuria e korrupsionit pos nivelit qendror, ka përfshirë edhe atë lokal, thonë zyrtarë të institucioneve kompetente dhe njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, ryshfeti, keqpërdorimet në dhënien e tenderëve të ndryshëm, janë disa nga llojet e korrupsionit që ekzistojnë nëpër komunat e Kosovës.


Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, thonë autoritetet kompetente dhe njohës të çështjeve ekonomike.

Hasan Preteni, udhëheqës i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, thotë se në mesin e katër institucioneve të dyshuara si më të korruptuarat, është edhe pushteti lokal.

Preteni bën të ditur se që nga viti 2007, agjencia ka pranuar 105 informata për veprime të mundshme korruptive të zyrtarëve të pushtetit lokal.

“Në mesin e tyre, në bazë të trajtimit tonë, 45 prej tyre i kemi materializuar dhe gjatë hetimeve tona paraprake, kemi mbledhur prova të mjaftueshme dhe këto i kemi përcjellë në prokuroritë kompetente. Ndërkaq, 45 janë mbyllur në mungesë të provave dhe 15 janë ende duke u trajtuar në agjenci. Kështu, këto shifra flasin se edhe zyrtarë të pushtetit lokal janë përfshirë në veprime të mundshme korruptive”
, thotë Preteni.

Edhe Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se korrupsioni është i pranishëm në Kuvendet Komunale.

“Mundësia më e madhe është te licenca dhe te lejet ndërtimit, të cilat janë burim i korrupsionit”,
pohon Rukiqi.

Në bazë të informatave që posedon Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, ryshfeti, keqpërdorimet në dhënien e tenderëve të ndryshëm, sipas Pretenit, janë llojet e korrupsionit që ekzistojnë nëpër komuna.

“Fatkeqësisht, edhe për pushtin lokal, edhe për institucionet tjetra, pushtetin qendror, ndërmarrjet publike janë aktivitetet që kanë të bëjnë me procedurat e tenderimit. Kjo fushë po gjeneron vazhdimisht veprime korruptive”.

“Edhe pushteti lokal kryesisht ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare ose mosrespektimin e Ligjit për prokurimin publik. Kryesisht këto janë aktivitete që kanë të bëjnë me veprimet korruptive në nivelin lokal”
, thekson Preteni.

Pikërisht për këtë çështje, në fillim të kësaj jave, EULEX –i ka kryer bastisje në katër shtëpi private në komunën e Skënderajt.

Në lidhje me hetimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të dyshuar janë tetë persona, duke përfshirë edhe kryetarin e komunës, Sami Lushtaku.

Në anën tjetër, përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk mohojnë dhe as pohojnë dukurinë e korrupsionit në nivelin lokal.

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv në këtë asociacion, megjithatë thekson se ky institucion, së bashku me zyrtarë të kuvendeve komunale, kanë hartuar planin komunal për transparencë ndaj qytetarëve - plan ky që, sipas tij, tashmë është miratuar nga shumica e komunave të Republikës së Kosovës.

Në takimet që ne i organizojmë në kuadër të asociacionit të komunave të Kosovës, kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, gjithmonë janë zotuar se do të luftojnë këtë dukuri negative. Mirëpo, gjithashtu edhe bëjnë edhe thirrje te qytetarët që këto dukuri negative t’i paraqesin para autoriteteve lokale, në mënyrë që të merren masa për luftimin e korrupsionit”, shprehet Ibrahimi.

Sidoqoftë, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, tashmë ka nisur hetimet ndaj dhjetëra personave, siç thuhet, zyrtarë të lartë qeveritarë.

Ky mision, ndërkaq, ka kërkuar nga autoritete kosovare që të merren me rastet e korrupsionit në nivelin lokal, pasi, siç kanë thënër, EULEX-i nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me korrupsionin në të gjitha nivelet.
XS
SM
MD
LG