Ndërlidhjet

Beqiri: “Jo” zgjedhjeve brenda vitit 2010


Ismet Beqiri
Ismet Beqiri

Shumica e partive nuk janë të gatshme të hyjnë në procesin zgjedhor gjatë këtij viti, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ismet Beqiri nga LDK-ja.











RADIO EVROPA E LIRË
Cili është pozicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës në raport me Partinë Demokratike të Kosovës rreth hapave që duhet të ndërmerren, pas dorëheqjes së zotit Fatmir Sejdiu nga posti i presidentit?

ISMET BEQIRI

Realisht, ne jemi tash në një situatë të re, flas në përgjithësi në Kosovë, pas aktit të dorëheqjes së presidentit të Kosovës nga posti i presidentit. Ne e kemi thënë disa herë që ky ka qenë një akt i lartë përgjegjësie, një akt i një burrështetasi që në momente të vështira, e pse jo edhe në situata të tilla, e vë interesin e shtetit para interesave, nëse mund të thuhet, të ngushta personale dhe partiake pse jo.

Unë e kam thënë, pa dashur të hyj ta interpretoj, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendim i një instance që nuk mund të bëhet apel, sigurisht që e kam thënë disa herë që do të dëshironim që ky të ketë qenë një vendim i pandikuar politikisht - do të dëshironim - gjë që me kohë do të dëshmohen të gjitha.

Sidoqoftë, ne e kemi thënë edhe para daljes së vendimit që LDK-ja do ta përkrahë, e besoj edhe presidenti, çfarëdo vendimi që do të merret dhe kësisoj edhe është vepruar.

Sigurisht që tash është një realitet i ri, siç e thashë, edhe në raportet tona me Partinë Demokratike, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e dytë t’ju them sinqerisht edhe të gjithë e dinë që ka qenë ajo marrëveshja politike edhe për koalicionin në atë kohë. Tash, pavarësisht faktit që jemi në një proces zgjedhor të brendshëm, ne kemi një stabilitet brenda partisë të padiskutueshëm.

Punët rreth zgjedhjeve po ecin mirë, ndërkaq raporti ynë tash është raport që së pari po i konsultojmë strukturat e partisë, po konsultohemi si parti çka më tutje. Ndërkaq, ne në bazë të marrëveshjes që e kemi, çështja është e qartë – LDK-së sigurisht i takon posti i presidentit dhe ta propozojë një kandidat.

Por, a do ta bëjmë këtë apo jo, nuk mund të them, sepse të gjitha parakushtet, rrethanat, për mendimin tim, po shkojnë kah ajo që të kemi zgjedhje të parakohshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur thoni që kanë ndryshuar raportet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në çka kanë ndryshuar konkretisht?

ISMET BEQIRI

Ne mendojmë se në këtë rast nuk janë sjellë korrekt edhe ka shumë elemente që mund ta dëshmojnë këtë. Sidoqoftë, vetë fakti që tash ne nuk e kemi presidentin, si të drejtë që ka dalë edhe nga marrëveshja politike, në këtë situatë nuk jemi në pozita të barabarta në ndarjen e pushtetit dhe ky raport nuk po e them që është ftohur, por as nuk është në ditët më të mira.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të ishte koha optimale për LDK-në që të mbahen zgjedhjet?

ISMET BEQIRI

Si parti serioze që jemi, ne gjithmonë duhet të jemi dhe jemi të gatshëm për të papriturat që mund të ndodhin. Megjithatë, si çdo subjekti politik, edhe i nevojitet një kohë për përgatitje.

Por, ne jemi parti që kemi traditë shumëvjeçare, jemi në skenën politike të Kosovës partia e parë që prej 20 vjetësh dhe do të thotë ne, çdo herë dhe në çdo moment duhet të jemi të gatshëm për zgjedhje, mirëpo e thashë edhe më herët - për zgjedhje të përgatitura mirë, sepse zgjedhjet nuk mbahen për LDK-në, po mbahen për qytetarët dhe, si të tilla, ato duhet të përgatiten në mënyrën më serioze.

Unë e thashë që ne jemi që këto zgjedhje të mbahen brenda afatit ligjor kushtetues dhe pse jo, për të marrë sa më shumë kohë, për të fituar sa më shumë në kohë për përgatitje sa më cilësore, atëherë do të duhej që kjo të jetë deri në limitin e fundit të atij afatit gjashtëmujor.

Sigurisht se tash do të përcaktohet edhe një datë, besoj se gjatë javës së ardhshme do të vazhdojnë konsultimet dhe do të dihet një datë e saktë se kur do të jenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mediat kanë shkruar se nëse ushtruesi i detyrës së presidentit shpall datën e zgjedhjeve brenda këtij viti, ato mund të bojkotohen nga LDK-ja dhe opozita. Cili është mendimi juaj?

ISMET BEQIRI

Më shumë anon kah kjo që e thatë. Vetë fakti që po e themi disa herë që nuk do të ishin zgjedhje të përgatitura mirë dhe do të krijonin bazë të dyshimit në rregullshmërinë e tyre, pavarësisht se dikush mund të thotë, ne është e vërtetë jemi në koalicion, jemi në pushtet, por ne nuk dëshirojmë që në raste të tilla çfarë është krijuar situata e tashme ne të përfitojmë, në kuptimin e asaj që të mbahen zgjedhjet dosido, të kemi një përqindje të konsiderueshme.

Ne nuk jemi parti që bën pazare të tilla ose bëhet pre e angazhimeve të tilla. Prandaj, po e them që ne do ta shqyrtonim shumë seriozisht qëndrimin tonë, nëse diçka e tillë do të ndodhë.

Jemi të sigurt se zgjedhjet nuk mund të mbahen vetëm për qejf ose dëshirë të një spektri politik dhe që në start të ketë bojkote qoftë edhe nga vetëm një parti, siç është, p.sh. mosgatishmëria e një partie opozitare që e ka thënë.

Por, po shihet se në bazë të konsultimeve që janë bërë, kjo gatishmëri është te shumica e partive politike, ose më mirë të them mosgatishmëri që këtë vit t’i hyjmë procesit zgjedhor - çka do të thotë, është pak e besueshme që të mos them fare e besueshme që ushtruesi i detyrës do ta bëjë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhja Demokratike e Kosovës është në proces të zgjedhjeve të brendshme, sa po ndikohen zhvillimet e fundit nga dorëheqja prej postit të presidentit e Fatmir Sejdiut dhe a mund të ketë ndryshime radikale brenda partisë?

ISMET BEQIRI

Sigurisht, në procesin zgjedhor nuk ka ndikuar negativisht, me gjithë faktin që njerëzit, strukturat edhe në takimet që kishim dje, janë kureshtarë dhe normalisht nuk ju ka ardhur mirë. Përkundrazi, kanë qenë të shqetësuar, por jo një shqetësim i tillë që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Kjo sigurisht nuk do të ndikojë, sepse tash ai do të jetë edhe ndihmesë në këtë proces zgjedhor. Sa i përket ndryshimeve, çdo nivel ku mbahen zgjedhjet do të jetë kompetent konform besimit që kanë ndaj strukturave, të japin besimin ndaj tyre dhe të ketë ndryshime pozitive.

Ne besojmë thellë që do të ketë ndryshime pozitive, duhet të ketë ardhje të reja, duhet të hapen dhe janë hapur dyert për forca të reja dhe sigurisht që edhe në kryesinë qendrore i mbetet kuvendit qendror të vendosë për të, unë nuk dua të paragjykoj, por ne besojmë që edhe aty do të ketë, nëse mund të quhen, freskime.

Nuk do t’i quaja ndryshime radikale në atë kuptim, por si një proces edhe i reformës në një mënyrë, do të jetë ajo që do të ketë fytyra të reja besojmë edhe në kryesinë qendrore, nuk mendoj vetëm në emra dhe kryetari do të vendosë edhe për kryetarin e partisë.

Procesi zgjedhor është i tillë, sistem zgjedhor është i tillë që vendos kuvendi qendror dhe gjithmonë e kemi thënë në qëllimin më të mirë që s’ka nevojë fort të shpenzohet në energji dhe në aspekte tjera në aktive, në degë dhe nëndegë, por secili që ka dëshirë, kuvendi është vendi ku njerëzit mund të kenë aspirata, por unë besoj që si proces do të shkojë mirë.
XS
SM
MD
LG