Ndërlidhjet

Inaugurimi i patriarkut Irinej


Ceremonia e inaugurimit të patriarkut Irinej në Patrikanën e Pejës.
Ceremonia e inaugurimit të patriarkut Irinej në Patrikanën e Pejës.
Patriarku Irinej apeloi te faktori ndërkombëtar që të zgjidhet drejt, siç tha ai, çështja e statusit të Kosovës. Ai i bëri këto komente në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të tij në Patrikanën e Pejës, ku ndër mysafirë të shumtë mori pjesë dhe presidenti serb, Boris Tadiq. Policia e Kosovës nuk ua ka lejuar hyrjen në Kosovë dy liderëve opozitarë serbë, për shkak të mospajisjes me leje për vizitë.


Në Patrikanën e Pejës, në praninë e presidentit serb, Boris Tadiq, dhe qytetarëve të shumtë, sot është mbajtur ceremonia e inaugurimit të patriarkut Irinej.

Nga ky manastir, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej, e quajti Kosovën “krahinë jugore të Serbisë”, ndërsa u lut që faktori ndërkombëtar të marrë vendim të drejtë për, siç u shpreh, statusin e Kosovës.

“Nga ky vend i shenjtë apelojmë te faktori ndërkombëtar, në duart e të cilit është fati i Kosovës, me lutjet e Zotit, që të mos e prishin shpirtin e tyre, duke sjellë vendime lidhur me çështjen e statusit të kësaj ‘krahine jugore të Serbisë’, në të cilën populli serb ka të drejtë në vatrat e tyre, shtëpitë e tyre, varret e të parëve dhe të shenjtit e tyre. Lutemi që të mbretërojë paqja e dashuria dhe sa më parë të mbyllen plagët e hapura”, tha patriarku Irinej.

Ceremonia ka përfunduar pas mesditës dhe gjatë kohës sa është mbajtur ajo, nuk është shënuar ndonjë problem. Por, Policia e Kosovës njoftoi se pas përfundimit të saj, në raste të ndara, persona tashmë të ndaluar nga policia, kanë hedhur gurë në tre autobusë që po bartnin pelegrinë serbë. Raportohet për një person të lënduar lehtë.

“Policia ka arrestuar në këto raste katër persona të dyshuar për momentin dhe është duke zhvilluar hetime", tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi.

Por, KFOR-i, i cili për të ruajtur sigurinë, ka pasur 1,800 pjesëtarë në terren, e quajti të suksesshëm tërë manifestimin e sotëm në Patrikanën e Pejës.

“Në përgjithësi ka qenë një ditë e suksesshme, në një atmosferë të qetë dhe paqësore, përveç incidentit në fund, kur janë gjuajtur me gurë autobusët që po ktheheshin në shtëpi. Por, siç më është thënë, ka qenë një incident minor, i izoluar”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter.

Policia tha se në ceremoni kanë marrë pjesë mbi 5,500 besimtarë serbë, shumica e të cilëve kanë ardhur nga Serbia me një konvoj prej 76 autobusësh, 23 furgonësh dhe 75 veturash. Konvoji është përcjellë edhe gjatë largimit nga autoritetet e sigurisë.

Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, tha se kanë qenë rreth 750 deri në 900 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që janë angazhuar në ruajtjen e sigurisë përgjatë rrugës kur ka kaluar konvoji, por edhe në vetë qytetin e Pejës, ku është mbajtur ceremonia fetare.

Presidenti serb, Boris Tadiq, është njëri nga liderët serbë që ka marrë pjesë në ceremoni, por nuk janë lejuar të shkojnë në Pejë dy liderë opozitarë, Velimir Iliq i Partisë Serbia e Re dhe Tomislav Nikoliq nga Partia Serbe e Progresit. Që të dy nuk kanë pasur leje për të vizituar Kosovën në cilësinë e zyrtarëve. Kthimi i tyre u konfirmua nga zëdhënësi Brahim Sadriu.

“Kanë qenë këto dy raste. Njërit i është refuzuar hyrja (Tomislav Nikoliqit), ndërsa tjetri (Velimir Iliqit) është nxjerrë jashtë territorit të vendit, pasi të dy kanë qenë të shoqëruar me delegacione të tyre, por që të dy grupet nuk e kishin paralajmëruar vizitën dhe nuk e kishin lejen që duhet për të vizituar Kosovën. Kjo ka qenë arsyeja pse janë larguar”, tha Sadriu.

Qeveria e Kosovës, ditë më parë, ka thënë se kur është fjala për vizita të karakterit fetar, do të jetë fleksibile, duke lejuar hyrjen në Kosovë të zyrtarëve të lartë serbë.

Megjithatë, sikur herët tjera, është kërkuar që të respektohet karakteri i vizitës dhe të mos jepen deklarata politike.

Lehtësim në organizimin e ceremonisë dhe arritjen e marrëveshjeve në lidhje me të ftuarit dhe mbarëvajtjen e ngjarjes fetare, ka ofruar ambasadori grek në Prishtinë, i cili tash një kohë ndërmjetëson mes Kishës Ortodokse Serbe dhe institucioneve të Kosovës.

Inaugurimi i sotëm i patriarkut Irinej është i treti me radhë, meqë ai ka mbajtur dy ceremoni të tilla në muajin janar në Beograd, kur edhe ka marrë detyrën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe.

Kjo është hera e parë që një ceremoni e tillë inauguruese e krerëve ortodoksë serbë, mbahet në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë.
XS
SM
MD
LG