Ndërlidhjet

logo-print

Bosnjë: Zgjedhjet e dominuara nga nacionalizmi dhe etniciteti

  • RFE /RL

Qytetarët hedhin votën...

Qytetarët hedhin votën...

Votuesit në Bosnjë-Hercegovinë po votojnë për ta zgjedhur anëtarin mysliman, serb dhe kroat të presidencës trepalëshe, për zgjedhjen e anëtarëve të Parlamentit qendror dhe për zgjedhje të dy parlamenteve rajonale. Nga ana tjetër, në Republikën Serbe zgjidhet presidenti.

Pesëmbëdhjetë vjet pas luftërave ndëretnike në Bosnjë, nga të cilat u vranë afro 100 mijë vetë, partitë politike kryesore kanë kërkuar nga zgjedhësit që të votojnë për grupin e tyre etnik.

Janë hapur afro 5,200 vendvotime, ndërsa zgjedhjet monitorohen nga afro 1,100 vëzhgues vendës dhe ndërkombëtarë.

Në votimet në Bosnjë-Hercegovinë dominojnë çështjet e nacionalizmit dhe etnicitetit. Boshnjakët, serbët dhe kroatët ende mbeten fuqishëm të lidhur me komunitetet e veta.

Me një retorikë nacionaliste, liderët politikë janë përpjekur që t’i mobilizojnë votuesit e komuniteteve që u takojnë vetë. Disa votues kanë shprehur frustrim se zgjedhjet janë fokusuar në çështjet nacionaliste dhe etnike, e jo në ekonomi dhe reforma politike.

Shumë zgjedhës janë ankuar për vështirësi ekonomike, përfshirë çmimet në rritje në tregjet lokale dhe mungesën e vendeve të punës.

Ja se çka thotë banori i Sarajevës, Emir Solakoviq:

“Gjithë kohën ata flasin për politikë, derisa njerëzit nuk kanë nga çka të jetojnë. Jemi në fund. Prandaj, na duhen ndryshimet, ndryshime në ekonomi, që njerëzit këtu të mund të jetojnë si ata në mbarë botën”.

Punëtori i pensionuar i hekurudhës, Boro Bozanoviq, nga Doboji, shpreson se zgjedhjet do të sjellin ndryshime në të mirë të vendit.

“Duhet të jetë më mirë. Të gjithë ne shpresojmë për këtë. Ekonomia, punësimi, aktivizimi i prodhimit - pa këto nuk ka asgjë”, thotë Bozanoviq.

Hulumtimet e fundit të opinionit parashohin që Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, e udhëhequr nga kryeministri serb në largim, Millorad Dodik, do të mbetet partia më e fuqishme në Republikën Serbe dhe me gjasë në gjithë vendin.

Partia Social-Demokrate multietnike, e udhëhequr nga profesori Zllatko Llagumxhija, duket se do të jetë partia më e fuqishme në Federatën Boshnjako-Kroate.

Millorad Dodik, që konkurron për presidencën e Republikës Serbe, ka përjashtuar çfarëdo mundësie të hyrjes në koalicion me partinë e zotit Llagumxhija, në nivelin shtetëror.

Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia e Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare, zoti Dodik pati thënë se serbët e Bosnjës do të duhej t’i kishin të drejtat e njëjta për ndarje nga Bosnja.

Lideri nacionalist kroat i Bosnjës, Dragan Çoviq, ka ftuar për entitet të ndarë kroat brenda Bosnjës.

Liderët myslimanë të Bosnjës, që është grupi më i madh etnik në këtë vend, kanë tërhequr vërejtjen se çfarëdo përpjekjeje për ndarje ose krijimin e entitetit të tretë, do të çojë në luftë të re.

Bosnja, shtet me afro 4.6 milionë banorë, tashmë është kandidate për anëtarësim në NATO dhe ka aspirata për integrim edhe në Bashkimin Evropian. (f.b.)
XS
SM
MD
LG