Ndërlidhjet

Privatizimi i PTK-së - vendim i ngutshëm?


PTK
PTK
Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës është shndërruar në çështje problematike për institucionet kompetente dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Përderisa Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur të privatizojë 75 për qind të aseteve, ndërsa 25 për qind të aksioneve të mbeten në pronësi të Qeverisë, Komisioni për Ekonomi dhe Telekomunikacion në Kuvendin e Kosovës ka rekomanduar që të privatizohen deri në 50 për qind të aksioneve të Telekomit, kurse 45 për qind e tyre të mbeten pronë e Qeverisë.

Kjo çështje është zvarritur edhe në Kuvendin e Kosovës. Fatmir Rexhepi, anëtar i Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Telekomunikacion, thotë se Kuvendi duhet t’i miratojë këto rekomandime, në mënyrë që privatizimi i kësaj kompanie të jetë më efektiv.

“Janë rekomandimet më të mira të mundshme, e përkrahin procesin e privatizimit, por me një formë dhe model tjetër, ku ruhen benefitet dhe interesi për shtetin e Kosovës”, thotë ai.

Ekspertë për çështje ekonomike e përkrahin privatizimin e PTK-së, por jo mënyrën dhe kohën që ka vendosur Qeveria për privatizimin e saj.

Haki Shatri vlerëson se vendimi i Qeverisë është i ngutshëm dhe jotransparent. Ai konsideron se mungon një analizë e thellë dhe gjithëpërfshirëse e kushteve, rrethanave dhe modelit të privatizimit.

“Vendimi është bërë i shpejtë pa këtë analizë. Po ashtu kemi dilema se a është ky momenti i përshtatshëm për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, që është profitabile, që është tatim-paguesi më i madh në Kosovë. Kjo është shpallje me nguti e privatizimit, në rrethana që nuk duken shumë të favorshme”, thotë Shatri.

Qeveria e Kosovës tashmë ka parakualifikuar pesë kompani për privatizimin e PTK-së, të cilat janë nga Shqipëria, Kroacia, Egjipti, Austria dhe Jemeni.

Por, kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Myzene Selmani, thotë se parakualifkimi i këtyre kompanive nga Qeveria është i paligjshëm.

“Jo vetëm që është vendim i ngutshëm, por është vendim anti-kushtetues, sepse bie ndesh me vendimet e Kuvendit. Në Kuvend ende nuk është marrë vendim se sa për qind e aksioneve do të shkojnë”,
thotë Selmani.

Sipas saj, Komisioni për Ekonomi ka kërkuar që Kuvendi të obligojë Qeverinë, që mjetet nga shitja e PTK-së të përdoren për investime kapitale dhe zhvillim ekonomik të vendit.

Deri në 50 për qind të mjeteve, thotë Selmani, duhet të lejohen për infrastrukturë dhe autostradë, ndërsa mjetet tjera për veprimtari dhe programe të tjera zhvillimore.

Sidoqoftë, sindikata e pavarur e Post-Telekomit të Kosovës vazhdon ta kundërshtojë privatizimin e kësaj kompanie. Deri më tani, kjo sindikatë ka mbajtur dy protesta paqësore, por paralajmëron edhe masa më radikale për të penguar këtë proces.

Lexoni edhe këtë:
Musa: Vonesa në privatizim
XS
SM
MD
LG