Ndërlidhjet

Maqedoni, mospajtime për numrin e shqiptarëve


Shkup
Shkup
Ekspertët shqiptarë dhe maqedonas kanë vlerësime të ndryshme lidhur me regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Maqedoni. Nikolla Panov, nga Instituti i Demografisë, thotë se ka tendenca për rritjen artificiale të numrit të shqiptarëve, përmes pajisjes me shtetësi të shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria. Por, Asllan Selmani, ekspert i demografisë, thotë se numri i shqiptarëve është më i lartë nga ai zyrtar.


Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë në Maqedoni, që pritet të realizohet në prill të vitit të ardhshëm, ka nxitur debate jo vetëm në mesin e partive politike, por edhe në mesin e ekspertëve shqiptarë dhe maqedonas.

Konfrontimet kryesisht kanë të bëjnë me numrin e shqiptarëve, për të cilin debatohet me vite në tëra. Madje, debatet kanë vazhduar edhe pas regjistrimit të para 10 vjetëve, i cili për herë të parë, edhe pse me dilema, ishte pranuar nga shqiptarët.

Por, qarqe të ndryshme maqedonase vazhdojnë të kontestojnë numrin e shqiptarëve, i cili, në bazë të regjistrimit të vitit 2002, arrin 25.17 për qind.

Nikolla Panov, nga Instituti i Demografisë, dyshon në numrin e shqiptarëve, ndërsa kërkesat që regjistrimi të realizohet në periudhën kur mërgimtarët të kthehen për pushime në vend, i interpreton si blerje kohe për pajisjen me shtetësi të, siç shprehet ai, shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria, që mund të kenë ndonjë lidhshmëri me Maqedoninë.

“Ky proces ka filluar diku rreth viteve 2003-2004, kur masovikisht filluan t’u jepen shqiptarëve shtetësi, veçanërisht pas krizës në Serbi, në vitin 1995, kur filluan largimet nga Kosova. Bëhet fjalë për 50 deri në 60 mijë persona që pritet të marrin shtetësinë. Kështu, në mënyrë artificiale do të rritej numri i tyre”, thotë Panovski.

Vlerësimet e tilla kundërshtohen nga eksperti shqiptar i demografisë, Asllan Selmani. Ai, duke bërë një krahasim të numrit të nxënësve në shkolla, thotë se numri real i shqiptarëve në Maqedoni nuk duhet të jetë nën 30 për qind.

“Në bazë të disa analizave të Entit Shtetëror të Statistikës, dihet qartë se kontingjenti i popullsisë shkollore shqiptare në Maqedoni, më tepër se 30 vjet, merr pjesë me 34 për qind nga numri i përgjithshëm i nxënësve. Kjo nënkupton se shqiptarë në Maqedoni duhet të ketë më tepër se 34 për qind”, deklaron Selmani.

Për t’i evituar të gjitha këto dilema apo për t’i penguar manipulimet e mundshme, analisti Albert Musliu thotë se është me rëndësi të madhe që për këtë çështje të ketë konsensus mes partive shqiptare, pasi vetëm me një harmonizim të kërkesave, mund të arrihet qëllimi për nxjerrjen e numrit të saktë të shqiptarëve.

“Interesi i tyre nuk duhet të jetë konfrontimi politik, por duhet të jetë realizimi kualitativ i regjistrimit, të cilin pastaj të dyja partitë politike mund ta përdorin në politikat dhe veprimet e tyre”.

“Partitë politike shqiptare duhet të insistojnë që në Entin Statistikor të Maqedonisë, përfaqësimi i shqiptarëve, jo të jetë vetëm adekuat, por të jetë edhe profesional, me qëllim që rezultatet e regjistrimit të jenë kualitative edhe për shqiptarët”,
thotë Musliu.

Propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare, por partitë shqiptare në opozitë nuk e përjashtojnë mundësinë e thirrjes për bojkot, nëse nuk pranohen kërkesat e tyre për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në të gjitha instancat që merren me regjistrimin e popullsisë.

Me propozim-ligjin e qeverisë parashihet që regjistrimi të realizohet nga Komisioni Shtetëror për Regjistrim, në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikës dhe me një monitorim të lehtë nga Eurostat-i.
XS
SM
MD
LG