Ndërlidhjet

Robert Eduards fitoi Çmimin Nobel për Mjekësi


Robert Eduards
Robert Eduards
Fiziologu britanik, Robert Eduards, ka fituar Çmimin Nobel për Mjekësi për vitin 2010, për zhvillimin e fertilizimit in-vitro, teknikë e cila u ka ndihmuar miliona çifteve që të kenë fëmijë.

Instituti suedez Karolinska, i cili e ndau çmimin, tha se kontributi i Eduardsit "paraqet gurthemel në zhvillimin e mjekësisë moderne". Instituti tha se pamundësia për të pasur fëmijë është një kusht "që prek 10 për qind të çifteve në botë".

Fertilizimi in-vitro është një procedurë ku vezoret mbarësohen jashtë trupit dhe pastaj vendosen në mitër.

85-vjeçari Eduards e zhvilloi teknikën e fertilizimit in-vitro së bashku me gjinekologun britanik, Patrik Steptoe, i cili vdiq në vitin 1988.

Fëmija i parë që lindi me procedurën e re erdhi në jetë në vitin 1978, në Britani. Prej atëherë, katër milionë foshnje kanë lindur në saje të metodës së re.

Ndarja e çmimit të sotëm në Stokholm e hapi javën e çmimeve Nobel për sivjet.

Nesër ndahet çmimi për Fizikë, të mërkurën për Kimi, të enjten për Letërsi, të premten për Paqe, dhe të hënën për Ekonomi.

Fituesit marrin nga afro 1.5 milion dollarë, diplomë dhe medalje të artë.

Për të parën herë, Çmimi Nobel u dorëzua në vitin 1901. (v.p.)
XS
SM
MD
LG