Ndërlidhjet

Krasniqi: Askush nuk përkrah zgjedhjet gjatë këtij viti


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Shumica e partive politike në Kosovë janë deklaruar kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme gjatë këtij viti, tha sot ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Ai tha se data e zgjedhjeve të parakohshme do të shpallet së shpejti, duke respektuar afatet kohore kushtetuese, që nënkuptojnë konsolidimin e institucioneve të reja, jo më larg se gjashtë muaj pasi që presidenti Fatmir Sejdiu ka dhënë dorëheqje.

“Kemi pasur konsultime dhe mund të them se kanë qenë në nivelin më të mirë të mundshëm. Nuk kemi pasur absolutisht kundërthënie. Shumica, apo të gjithë liderët e partive politike që i kam konsultuar, nuk e kanë gatishmërinë që zgjedhjet të zhvillohen gjatë këtij viti. Do të thotë, (ata) janë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen, por në afatin që na e lejon periudha gjashtëmujore”, tha Krasniqi.

Këto qëndrime, Krasniqi ia kumtoi edhe kryeministrit Hashim Thaçi. Ky i dyti tha se dorëheqja e presidentit Sejdiu nuk ka krijuar vakuum dhe krizë institucionale. Kurse zgjedhjet, sipas tij, do të mbahen në afatin ligjor.

“Është një situatë e re, në të cilën institucionet e Kosovës janë duke funksionuar në mënyrë shumë stabile, efektive dhe efikase. Gjithçka, edhe në hapat e ardhshëm, do të jetë në përputhshmëri me procedura të rregullta, ligjet e Kosovës, Kushtetutën dhe dokumentin e presidentit Ahtisari”,
deklaroi Thaçi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, tha se do t’i vazhdojë konsultimet me partitë politike dhe në fund do të shpallet edhe data e saktë e mbajtjes së zgjedhjeve. Ai shprehu besimin e tij se koalicioni aktual qeverisës do të ruajë funksionalitetin e institucioneve deri në fund të mandatit të mbetur.

Koalicioni ka kryer një pjesë të madhe të punës dhe ai koalicion duhet të ketë atë përgjegjësi, me të cilën ka ardhur deri këtu - të çojë vendin deri te përmbyllja e periudhës së zgjedhjeve të lira. Unë nuk pres dhe nuk është në interesin e qytetarëve që të ketë diçka që nuk është në interes as të raporteve të Kosovës me jashtë dhe as raporteve të brendshme në vend”, theksoi Krasniqi.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë vijnë si rezultat i dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohej shkelje kushtetuese mbajtja e dy posteve nga ana e Sejdiut.

Data e këtyre zgjedhjeve besohet se do të shpallet pas përfundimit të konsultimeve me të gjitha partitë politike, ndërkaq si afat optimal çdo herë e më tepër po përmendet muaji shkurt i vitit vijues.

Lexoni edhe këto:
Ende pa marrëveshje për afatin e zgjedhjeve
Analistët: Zgjedhjet, më se të nevojshme
XS
SM
MD
LG