Ndërlidhjet

Mungesa e ligjit fut veriun në bisedime?


Mitrovicë

Mitrovicë

Presidenca dhe ekzekutivi i vendit kanë përjashtuar mundësinë e trajtimit të veçantë të veriut në bisedimet eventuale me Serbinë. Por, sipas disa ligjvënësve, gjendja faktike në terren, moszbatimi i Kushtetutës dhe ajo që cilësohet si një anarki, do ta fusin veriun në agjendën e bisedimeve.

Deputeti dhe juristi Riza Smaka, nga Aleanca Kosova e Re, thotë se të gjitha çështjet e hapura me Serbinë do të përfshihen në bisedime, pra dhe veriu.

“Ne agjendën e negociatave me Beogradin, padyshim, pashmangshëm, do të inkorporohen të gjitha temat që janë të hapura dhe që janë kontestuese, problematike. Veriu i Kosovës është i okupuar praktikisht, sepse aty janë militarët serbë, të organizuar, të financuar nga shteti serb dhe jo vetëm nga shteti serb, por edhe nga forca të tjera politike të shteteve të caktuara”, thotë Smaka.

Ditë më parë, Zyra e Koordinatorit për Strategjinë e Veriut, në një raport mbi gjendjen në këtë pjesë, bëri fajtore Administratën e UNMIK-ut për Mitrovicën, se nuk po lejon integrimin e qytetit të ndarë në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun me serbë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rrustem Mustafa, është vetëkritik dhe bën fajtore edhe institucionet e Kosovës për gjendjen e krijuar në veri.

“Kisha dashur të vijë ajo kohë dhe të identifikohen të gjithë ata katalizatorë që kanë qenë, që kanë penguar ecjen përpara në veri. Të gjithë ata kanë bërë eksperimente të panevojshme në veriun e Kosovës, bashkë me ne”.

“Edhe ne vendorët jemi bashkëpërgjegjës me të gjithë ata që i kanë bërë këto eksperimente. Mirëpo, tash për tash, jemi të fokusuar të ecim përpara dhe ta funksionalizojmë Kushtetutën dhe të gjithë mekanizmat e sigurisë
”, thotë Mustafa.

Juristi Riza Smaka alarmon se në raportet politike ndërkombëtare, në zgjidhjen e ndonjë problemi merret parasysh gjendja faktike në terren. E gjendja faktike në veri, sipas Smakës, nuk shkon në favor të integritetit territorial të Kosovës. Ai e ilustron këtë me një shembull nga Bosnja.

“Gjendja faktike është tepër relevante në raportet juridike ndërkombëtare dhe politike ndërkombëtare. Ky është një fakt i kryer. Ta marrim shembull Bosnjën. Serbët në Bosnjë nuk kanë qenë kurrë 49 për qind. Kanë qenë 29 deri në 31 për qind. Por, e kishin 78 për qind të territorit të okupuar. Në Dejton, kur është përcaktuar harta politike, serbëve u është dhënë 49 për qind e Bosnjës, gjysma e Bosnjës”, thotë Smaka.

Por, Mustafa, nga Partia Demokratike e Kosovës, beson fuqishëm se është Kushtetuta ajo që do ta ruajë veriun nga shkëputja eventuale, apo nga çfarëdo rreziku tjetër.

“Unë nuk e shoh si rrezik drojën që veriu i Kosovës të futet në agjendën e bisedimeve si territor i veçantë. Kjo, për shkak të garancive, Kushtetutës së vendit, Pakos së Ahtisarit, rregulloreve që funksionojnë në shtetin tonë”,
thekson Mustafa.

Ende nuk është caktuar ndonjë agjendë bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që dorëheqja e presidentit Sejdiu duket se do t’i shtyjë për kohë të pacaktuar ato.

Megjithatë, problemi i veriut vazhdon të mbetet i njëjtë, me strukturat paralele serbe që sponsorizohen nga Beogradi dhe padëgjueshmërinë e qytetarëve serbë ndaj institucioneve të Kosovës dhe aktit më të lartë juridik të vendit.
XS
SM
MD
LG