Ndërlidhjet

logo-print

AKP: 23,000 çështje pronësore të pazgjidhura


Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Agjencia Kosovare e Pronës (AKP), që nga përfundimi i luftës, ka zgjidhur vetëm 17 mijë çështje pronësore nga 40 mijë sosh. Drejtori i Agjencisë së Pronave, Scot Bower, tha se çështja e uzurpimit të pronave në Kosovë mbetet një problem i madh.

“Që nga mesi i shkurtit të vitit ‘98 deri në qershor të 99-ës, në Agjencinë Kosovare të Pronës kanë arritur 40 mijë kërkesa. Nga to, 26 mijë janë shqyrtuar, ndërsa kemi arritur që t’i zgjidhim rreth 17 mijë prej tyre. Ne shpresojmë se do t’iu kthehemi së shpejti kërkesave të tjera për t’i zgjidhur”, tha Bower.

Bower tha se çështja e uzurpimit të pronave, sikur edhe në pjesët e tjera të Kosovës, edhe në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e pazgjidhur. “Sa u përket të drejtave të pronarëve, ne po mbahemi peng i situatës politike në veri”, tha ai.

Sipas Bower, në atë pjesë të Kosovës tashmë AKP-ja ka ndërmarrë disa hapa, në drejtim të zgjidhjes së problemeve pronësore.

“Nuk mund të themi se kush janë uzurpatorët më të mëdhenj, shqiptarët apo serbët. AKP-ja i konsideron të gjitha uzurpime, pa marrë parasysh se nga kush janë bërë. Ne po mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Kemi kërkuar përkrahjen e institucioneve të Kosovës, policisë, KFOR-it dhe të të gjitha institucioneve të tjera ndërkombëtare në vend”, tha Bower.

Këto komete u bënë në një konferencë për media në Qendrën Mediale në Çagllavicë. Disa nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, me këtë rast, thanë se shumë qytetarëve serbë po u mohohet e drejta pronësore.

Ata kritikuan institucionet kosovare si dhe sistemin e drejtësisë për moszgjidhjen e shumë lëndëve që kanë të bëjnë më pronën.

Lubinko Todoroviq, ish-zëvendës i Ombudspersonit (2006), tha se çdo herë që bëhet fjalë për pronat e uzurpuara të serbëve, çështja e tyre nis nga fillimi. Edhe tani, sipas tij, gjendja është si në fillim.

“Sa i përket çështjes së uzurpimit, dëmtimit dhe shkatërrimit të pronës së bashkësisë serbe, që nga viti 1999 e deri më tash, gjithmonë jemi në fillim. Procesi dhe procedimi varen nga ajo që disa institucione shtetërore, gjegjësisht organe ekzekutive, asistojnë, në mënyrë që të arrihet deri te zgjidhja e atyre problemeve”, tha Todoroviq.

AKP-ja ka mandatin që t’i zgjidhë kërkesat që rrjedhin nga konflikti i armatosur në mes të 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999, në lidhje me pronën e paluajtshme private, që përfshin pronën bujqësore dhe komerciale dhe ka tre funksione kryesore: pranimin dhe regjistrimin e kërkesave specifike për pronën e paluajtshme private, zbatimin e vendimeve përfundimtare ligjore dhe administrimin e pronave të braktisura.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG