Ndërlidhjet

logo-print

Sanxhaku në mes të varfërisë, politikës dhe besimit

  • RFE /RL

Novi Pazar

Novi Pazar

Sanxhaku, një zonë kufitare në Serbi, jo rrallëherë vihet në plan të parë, për shkak të përleshjeve të shpeshta politike, që gradualisht kanë evoluuar edhe në fetare. Me vite të tëra, ky vend s’ka mundur të gjejë zgjidhje për problemet politike, që kanë rezultuar edhe me humbje të jetëve.



Kryeqyteti Novi Pazar, dikur qendër e kontrabandës së Serbisë së Millosheviqit, sot është bërë rajon i tensioneve politike e fetare, por edhe i varfërisë dhe papunësisë.

Në rrugët e Novi Pazarit, në shikim të parë, gjithçka duket qetë – pensionistët shëtisin, të rinjtë mblidhen në sheshin kryesor të qytetit… Ata që nuk bien më në sy janë punëtorët, që nxitonin për të nisur punën në fabrikat që dikur prodhonin xhinse.

Arsyeja është e thjeshtë – shumica e fabrikave tashmë nuk punojnë. Pronarë të paktë privatë kanë arritur t’iu përshtaten rrjedhave ligjore ekonomike. Sipas disa vlerësimeve, rreth 30 për qind e të rinjve në Sanxhak janë të papunë.

Shumica e qytetarëve përballen me standard të ulët të jetesës, thotë Semiha Kaçar, nga Këshilli i Sanxhakut për të Drejtat e Njeriut.

Pozita në të cilën gjendet Sanxhaku, është pasojë e neglizhencës së rajonit, e cila zgjat më se dy dekada, thotë ajo.

“Edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, kjo zonë ishte lënë pas dore. Fatkeqësisht, përbërja shumetnike e popullsisë, në vend që të ishte një referencë për zhvillim, ajo s’ishte kurrë diçka e tillë”, thotë Kaçar.

Jo shumë kohë më parë, tregun e Novi Pazarit çdo ditë e vizitonin mijëra njerëz nga të gjitha anët e Serbisë…

Njëri nga shitësit, me përvojë disavjeçare në këtë vend, tregon se si kanë ndryshuar kohërat. “Mallrat dikur vinin nga Turqia, ndërsa të tjerat prodhoheshin këtu: këpucët, xhinset, bluzat… Çdo e dyta shtëpi kishte makinë”, thotë ai.

Kështu ishte në kohën e sanksioneve, në kohën kur nuk kishte tatime dhe arka fiskale. Sot është tjetër situatë – malli, kryesisht vjen nga Kosova, kufiri i së cilës është rreth 20 kilometra larg Novi Pazarit.

Kufiri me Kosovën nuk ka ndonjë problem serioz për t’u shfrytëzuar. Kjo është një pikë që, siç thuhet, nuk është ende nën kontroll. Ndërsa, kufijtë tjerë ka kohë që nuk kalohen aq lehtë si dikur.

Kriza ekonomike në tregun e Novi Pazarit është lehtë e dukshme.

“Jemi pa punë. Në byro jemi regjistruar të katër anëtarët e familjes. Një kohë dhe një krizë të tillë nuk i mbaj në mend”, thotë një grua 45-vjeçare.

Mundësitë ekonomike janë një nga shkaqet e paqëndrueshmërisë në Sanxhak. Këtë e konfirmon dhe ministri për pakica dhe të drejta të njeriut në Qeverinë e Serbisë, Svetozar Çipliq.

“Sigurisht, ekonomia është themeli i çdo të mire, por mund të jetë edhe shkak i të këqijave. Situata e rëndë ekonomike, sidomos në Sanxhak, mund të prodhojë edhe probleme politike”, thotë Çipliq.

Ai mendon se hapja e çështjeve politike do të pengohej vetëm atëherë kur do të zgjidheshin problemet ekonomike dhe kur do të investohej më shumë në Sanxhak.

Të vetëdijshëm se krizat nuk ndodhin pa ndonjë shkak, qytetarët në Sanxhak fajësojnë shtetin për moskrijimin e një ambienti të favorshëm ekonomik. Kjo, nga ana tjetër, ka thelluar edhe më shumë mosbesimin e popullatës boshnjake në autoritetet beogradase.


Turqia më e afërt se Serbia



“Kjo është Turqi” është dëgjuar të thuhet së fundmi në rrugët e Novi Pazarit, pasi përfaqësuesja e basketbollit të Turqisë ka mundur atë të Serbisë, në Kampionatin Botëror të Basketbollit, që u mbajt në Stamboll.

Xhirimet amatore të festimeve kanë qarkulluar kohë të gjatë nëpër programet televizive në Serbi, duke i dhënë kësaj ngjarjeje domethënie simbolike, por që, siç thuhej, kishte të bënte me një disponim armiqësor të boshnjakëve të Sanxhakut ndaj Serbisë.

Dilemën Turqi apo Serbi e sqarojnë të rinjtë, të cilët thonë se shtetin turk e ndjejnë shumë më afër se atë serb.

Arsyet për një opinion të tillë, të rinjtë i justifikojnë me, siç thonë, faktin se Serbia nuk brengoset aq sa duhet për këtë rajon, si dhe nuk respekton të drejtat e boshnjakëve.

“Nuk e ndjej Serbinë si shtet timin, sepse nuk sillet ndaj nesh ashtu si do të duhej”, thotë një i ri i shkollës së mesme, derisa këtë opinion e vërteton dhe shoku i tij, duke thënë se “Turqia investon shumë më shumë në Sanxhak sesa Serbia”.

Ata janë të rinj, por qëndrimet e tyre nuk janë iluzione të papjekurish. Rizo Kuçeviq, baba i pesë fëmijëve, shpreh bindjen se ky është opinion i shumicës.

“Si shumica e qytetarëve të Novi Pazarit, edhe unë ndaj një mendim të tillë, që Turqinë, për shumë arsye – një nga to dhe lidhjet familjare – e kemi shumë më të afërt. Ajo është superfuqi, andaj do të luajë një rol që ka humbur njëqind vjet më parë. Nuk mendoj për pushtimin, por për ndikimin e madh në Ballkan”, thotë Kuçeviq.

Mendim të ngjashëm ka dhe një tjetër qytetar.

“Kur Dodiku mund ta mbështesë Serbinë ndërsa jeton në Bosnjë, pse unë nuk mund ta përkrah Turqinë, kur kam kushërinjtë atje. Ne kemi lidhje familjare… Sikur shteti të ishte më i mirë për ne, do ta mbështesnim Serbinë”,
thotë ai.

“Dashurinë” ndaj Turqisë mund ta shpjegojë, nën një, tradita, dhe, nën dy, prania e një numri të madh të boshnjakëve në këtë shtet, përfshirë dhe pesë basketbollistë në ekipin turk.

Nga ana tjetër, nuk gjendet shpjegimi se pse këta të rinj nuk ishin të motivuar sa duhet për të ndërtuar karrierën në Serbi.

Përmes Agjencisë për Zhvillim Ekonomik, Turqia, deri më tash, ka investuar 13 milionë dollarë në Serbi, ndërsa në territorin e Sanxhakut është e pranishme me tetë projekte. Të gjitha punët duhet të mbarojnë deri në fund të vitit 2011.

Po ashtu, në korrik të 2009-ës, shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu, dhe ai i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, u dakorduan që Ankaraja të investojë në ndërtimin e autostradës përmes Sanxhakut. Ndërsa, në korrik të këtij viti, kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, hapën qendrën kulturore turke në Novi Pazar.

Shumica e qytetarëve të Novi Pazarit thonë se Serbia nuk respekton të drejtat e boshnjakëve që jetojnë në këtë vend.

Si shembull të mungesës së të drejtave ata marrin përfaqësimin e ulët të tyre në institucione. Një besim të tillë nuk e ndryshoi prania e dy ministrave nga Sanxhaku në Qeverinë e Serbisë: Sulejman Uglanin dhe Rasim Lajiq.

Kundërshtari më i zëshëm i qeverisë në Sanxhak, myftiu Muamer Zukorliq, hedh poshtë pohimet se me këtë është treguar gatishmëria e shtetit për t’u përmbajtur nga diskriminimet.

“Tregimi me ministrat në të vërtetë është edhe një dredhi kozmetike, që përdoret për t’i shërbyer publikut ndërkombëtar. Tani, imagjinoni sikur e drejta dhe liria të mateshin me ministra, atëherë hungarezët nuk do të kishin asnjë të drejtë, sepse nuk kanë asnjë ministër”, thotë ai.

Zukurliq kërkon të gjitha garancitë, të cilat do të zhduknin çdo mundësi për përsëritjen e imazheve të së kaluarës së errët.

“Kemi problem, sepse Serbia nuk është larguar nga ndikimi i atyre njerëzve që mendojnë se të gjithë popujt joserbë paraqesin kërcënim për Serbinë”, thotë Zukurliq.

Mbi 7000 mijë bashkatdhetarë të boshnjakëve të Sanxhakut janë vrarë në Masakrën e Srebrenicës, e cila jo rrallëherë në këtë rajon ngrihet si çështje.

Por, ndoshta më shumë se qytetarët, tragjedinë e Srebrenicës e përdorin si argument akterët politikë lokalë. Kryebashkiaku i Novi Pazarit, Meho Mahmutoviq, beson se bëhet fjalë për manipulime politike.

“Të gjithë boshnjakët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj Srebrenicës. Kur doni të motivoni dikë kombëtarisht, përkujtoje për disa nga gjërat më të këqija që kanë ndodhur”, thotë ai.

Boshnjakët janë i vetmi popull në Evropë që nuk kanë një shtet – komb, thotë myftiu Zukorliq.

“Bosnja nuk është shtet nacional i boshnjakëve, por një shtet partneriteti i tre popujve, e shantazhuar nga vullneti apo problemet e tyre. Si ta pranoj, kur kam qenë pjesëtar i popullit përbërës të ish-Jugosllavisë dhe, brenda natës, kanë bërë një Kushtetutë, ku jam pakicë, që madje nuk përmendet”, thotë ai.

Siguria mbetet çështje e ndjeshme, e cila në vazhdimësi ul besimin e qytetarëve të Sanxhakut në shtetin e Serbisë, sidomos kur kihet parasysh që në policinë e këtij rajoni janë të angazhuar rreth 25 për qind boshnjakë, ndërsa pjesa tjetër janë serbë, të cilët përbëjnë 20 për qind të popullsisë së Sanxhakut.

Autoritetet kompetente thonë se problemi i deficitit të boshnjakëve në administratën shtetërore po zgjidhet, por në mënyrë graduale.

“Mungesa e përfaqësimit në polici, ushtri dhe gjyqësi ka ndodhur në kohën e Millosheviqit, kur është bërë një spastrim i rëndë”, thotë kryebashkiaku Mahmutoviq.

Ai shton se kjo situatë ka filluar të ndryshojë me ndryshimet në Serbi në vitin 2000.

“Ne po punojmë gradualisht në këtë drejtim, por duhet rikthyer besimin tek organet dhe duhet pasur boshnjakë të interesuar për të punuar në polici apo ushtri”, thotë Mahmutoviq.

Të interesuar, megjithatë ka. Në një raport të Këshillit të Sanxhakut për të Drejtat e Njeriut, për vitin 2009 dhe 2010, thuhet se 14 persona të diplomuar në Fakultetin e Sarajevës për Siguri, nuk kanë mundur të punësohen në polici, edhe pse disa herë kanë konkurruar në Novi Pazar, Sjenicë dhe Prijepole.

Myftiu Muamer Zukorliq ka luftuar për prani më të madhe në Këshillin Kombëtar, por ka hasur në kritika e akuza për përzierje të fesë në politikë.

Përpjekjet e fundit të shtetit serb për të kontestuar rezultatet për Këshillin Kombëtar si dhe përçarja e bashkësisë islame kanë thelluar krizën në Sanxhak në atë masë, saqë pakkush mund të përjashtojë rrezikun e konfliktit të hapur. (v.t.)
XS
SM
MD
LG