Ndërlidhjet

Lufta kundër korrupsionit - nënshtrimi nga politika


Organizatat joqeveritare në Kosovë u kërkojnë autoriteteve kompetente rezultatet për bastisjet dhe hetimet e zyrtarëve të lartë qeveritarë, të dyshuar për implikim në krim të organizuar dhe korrupsion.


Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ) dhe Lëvizja Fol, dy organizata joqeveritare, kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që të bëjnë publike rezultatet në lidhje më korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ramadan Ilazi, nga Lëvizja Fol, tha se misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ka paralajmëruar se janë mbi 100 dosje të zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion dhe për këtë, shtoi ai, nevojitet dhënia e informatave.

“Klubi për Politikë të Jashtme dhe Lëvizja Fol shprehin shqetësimin për mungesën e rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të paralajmëruar nga EULEX-i”.

“Dy organizatat tona vlerësojnë se ka ngecje evidente në luftën kundër korrupsionit - në nivele të larta institucionale, por edhe në luftimin e kriminalitetit në veri të Kosovës”,
tha Ilazi.

Ylli Hoxha, drejtor ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, tha se nuk duhet shfrytëzuar situata e krijuar politike për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga agjenda anti-trafikim dhe anti-korrupsion.

Hoxha tha se as kriza politike e as zgjedhjet e parakohshme nuk guxojnë të shërbejnë si pretekst për mosnxjerrjen para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar.

“Së fundmi, Klubi për Politikë të Jashtme dhe ‘Fol’ identifikojnë një tendencë të shfrytëzimit të krizës politike, të krijuar nga dorëheqja e presidentit, për devijimin e vëmendjes së opinionit publik nga agjenda anti-korrupsion dhe anti-krim në kriza politike”.

“KPJ dhe ‘Fol’ konsiderojnë se është e papranueshme që drejtësia t’i nënshtrohet cilitdo proces politik - si krizave politike, ashtu edhe zgjedhjeve. Pra, drejtësia duhet ta ketë rrugën e vet”,
deklaroi Hoxha.

Ai vlerësoi se politika pengon në luftimin e mëtejmë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Klubi për Politikë të Jashtme dhe Lëvizja Fol, shtoi Hoxha, kërkojnë nga përgjegjësit institucionalë që urgjentisht të largojnë nga detyra zyrtare personat që janë të dyshuar për korrupsion.

“Është politika ajo që mund t’i bëjë ndryshimet e nevojshme. Fjalët si: zero tolerancë ndaj krimit dhe luftë e pakompromis ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, mbeten fjalë dhe jo vepra”.

“EULEX-i ka dhënë informacione se mbi 100 zyrtarë të qeverisë janë në hetime. Ata 100 zyrtarë edhe sot menaxhojnë me interesat tona, me paranë publike dhe kjo është me vendim të kryeministrit të Kosovës, me vullnetin e tij politik”,
tha Hoxha.

Në anën tjetër, zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi, deklaroi se qeveria po lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Qeveria e Kosovës është ajo, e cila është në ballë të luftës kundër korrupsionit. Është Qeveria e Kosovës ajo qeveri, e cila pas më shume se dhjetë vjetësh heshtjeje dhe pothuajse tolerance të korrupsionit, ka filluar luftën kundër korrupsionit - gjë që është evidente”, u shpreh Krasniqi.

Sipas Lëvizjes Fol, qytetarët e Kosovës mendojnë se korrupsioni është problem kryesor i vendit dhe për këtë kërkojnë nga autoritetet përkatëse që ta luftojnë këtë dukuri.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG