Ndërlidhjet

Autoritetet shtetërore maqedonase sërish kanë kërkuar që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE të mos kushtëzohet me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Por, opozita maqedonase dhe partneri shqiptar i koalicionit qeverisës vlerësojnë se bëhet fjalë për kërkesa ireale dhe përfitim të poenëve politikë.


Pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes, Zoran Konjanovski, gjatë takimit me sekretarin amerikan të mbrojtjes, Robert Gejts, si dhe të shefit të diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski, me homologun e tij gjerman, Guido Vestervelle, se “procesi i integrimit nuk duhet të pengohet nga kontesti i pazgjidhur me Greqinë, por kjo çështje të trajtohet si problem bilateral mes dy vendeve”, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO- DPMNE, ka sqaruar se kjo kërkesë justifikohet me faktin se Greqia, tanimë një kohë të gjatë, e bllokon perspektivën euroatlantike të vendit.

“Se a do të arrijë Maqedonia, që përskaj negociatave për zgjidhjen e emrit me Greqinë, të marrë ftesë për anëtarësim në NATO dhe BE, para së gjithash varet nga karakteri i politikës së jashtme të vendit, forca politike e diplomacisë maqedonase, si dhe lobimi i miqve tanë në strukturat e Aleancës Veri-atlantike”, ka theksuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Spasenovski.

Por, për partitë tjera në Parlament, shpresat e diplomacisë maqedonase janë ireale dhe si të tilla dëmtojnë imazhin e vendit kundrejt faktorit ndërkombëtar.

Deputeti i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), Andrej Petrov, ka vlerësuar se kreu shtetëror i Maqedonisë, me retorikën që përdor kur bëhet fjalë për kontestin e emrit, sillet sikur të jetë në fushatë zgjedhore. Më e keqja, sipas tij, është se opozita nuk është fare në dijeni se për çka bisedohet me palën greke sa i përket çështjes së emrit.

“LSDM-ja nuk ka kurrfarë informacionesh për bisedimet jotransparente që i realizon pushteti me palën greke për çështje të emrit. Por, një gjë është më se evidente – Maqedonia, që nga marrja e statusit kandidat, tanimë 5 vjet, nuk ka lëvizur nga pika zero, pikërisht për shkak të politikës jokonstruktive të Qeverisë”, është shprehur deputeti i LSDM-së, Andrej Petrov.

Edhe partneri shqiptar i koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka theksuar se porosia e ndërkombëtarëve është më se e qartë dhe si e tillë duhet kuptuar drejt: “fillimisht zgjidhet kontesti i emrit dhe pastaj hapen dyert e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian për Maqedoninë”.

“Tanimë dëshmohet se zgjidhja e kontestit të emrit është një kriter shumë më themelor për Republikën e Maqedonisë, sesa kriteret e Kopenhagës ose kriteret e përcaktuara nga NATO-ja që Maqedonia duhet t`i përmbushë si shtet”.

“Pikërisht për këtë, s’do mend se nuk mund të presim një lëvizje përpara, pa pasur një lëvizje përpara zgjidhja konkrete, pozitive për kontestin e emrit me Greqinë”,
ka thënë deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti Devaja.
XS
SM
MD
LG