Ndërlidhjet

logo-print

Serbi: Tadiq u mori medaljet kriminelëve të dënuar


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, u ka marrë katër kriminelëve të dënuar, medaljet me të cilat ata ishin nderuar për shërbim në luftërat në Ballkan në vitet e 90-ta.

Në një kumtesë, zoti Tadiq, theksoi se këta persona kishin vepruar “në kundërshtim me rendin publik dhe moral”, kështu që nuk i meritojnë medaljet.

Në mesin e katër personave gjendet edhe Millorad Ulemek, ish komandant paramilitar, i cili ishte dënuar për vrasjen e kryeministrit reformist të Serbisë, Zoran Xhingjiq, në vitin 2003, dhe për vrasjen e ish presidentit të Serbisë, Ivan Stamboliq, në vitin 2000.

Millorad Ulemek, aktualisht, ndodhet në burg në kryerje të dënimit prej 40 vitesh.

Tre personat e tjerë, të cilëve u janë marrë medaljet e nderit, janë ndihmës të Ulemekut.

Siç raporton agjencia AP nga Beogradi, të katër personat ishin lojalë ndaj ish liderit të ndjerë nacionalist, Sllobodan Millosheviq, i cili udhëhoqi luftëra në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
XS
SM
MD
LG