Ndërlidhjet

NATO rrit sigurinë në veri


Paqeruajtës të KFOR-it

Paqeruajtës të KFOR-it

NATO-ja tha se ka shpërndarë rreth 100 paqëruajtës në veri të Kosovës, si reagim ndaj incidenteve të dhunshme që kanë përfshirë këtë pjesë të vendit, transmeton AP.

Zëdhënësi i forcave, kapiteni Hans Wichter, tha se paqëruajtësit po vendosin postblloqe në rrugën kryesore që lidh Kosovën me Serbinë për të kërkuar armët.

Rritja e masave të sigurisë, pasditen e së mërkurës, vjen si pasojë e incidenteve të dhunshme ndërmjet shqiptarëve dhe pakicës serbe.

Por, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se forca paqëruajtëse po "përpiqet t'i provokojë serbët që të reagojnë", dhe e fajësoi NATO-n se po udhëheq "një luftë propagandistike".


Edhe një arrestim në Mitrovicë


Zyrtarët e Departamentit Ekzekutiv të Policisë së EULEX-it kanë arrestuar sot në mëngjes një person në Mitrovicën veriore.

Në një njoftim për media të këtij misioni, thuhet se personi, që është në të 30-at e vona, përballet me akuza që ndërlidhen me kërcënimet ndaj zyrtarëve publikë, posedimin ilegal të armëve dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Ndaj personit të arrestuar ka qenë i lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar.

EULEX-i ka arrestuar të hënën personin e parë në veri të Kosovës pas paralajmërimeve se ka një listë me disa persona nga veriu i Kosovës, që akuzohen për krim të organizuar.

Arrestimet po përcillen me masat e sigurisë, që EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë shtuar në veriun e vendit në ditët e fundit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, është optimist se masat e fundit do të ndihmojnë vendosjen e rendit dhe të ligjit në veriun e Kosovës, që vazhdon të mos kontrollohet nga autoritetet legjitime.

“Unë shpresoj, këtë herë, që Policia e Kosovës, EULEX-i dhe sidomos KFOR-i, me veprimet e fundit në veri të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit, do të kenë sukses dhe do ta bëjnë këtë punë me përkushtim. Shihen edhe rezultatet e para të pikave kontrolluese të përbashkëta të EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në drejtim të kontrollimit më të mirë të qytetarëve, të cilët eventualisht mund të kenë armë pa leje”, tha Rexhepi.

Krerët e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, një ditë më parë, kanë bërë publike masat e reja të sigurisë në veri të Kosovës. Shkas për këto masa është thënë se janë incidentet e vazhdueshme që kanë ndodhur në javët e fundit, shpeshherë me pasoja në njerëz.

Eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, është skeptik se masat do të sjellin rezultate pozitive.

Një plan i tillë është dashur të bëhet më herët dhe jo të priten momentet kur akti është i kryer; tash tentohet që të ndërmerren masa që do të jenë shumë të vonuara. Ajo që bie në sy për opinion, është se në mënyrë pompoze janë paralajmëruar arrestimet. Kjo gjë ka ndikuar tek ata njerëz që të fshihen”.

“Është vështirë të kapen tash për tash, sepse nëse nuk ka bashkëpunim të mirëfilltë me Beogradin zyrtar, ata njerëz që janë në territor të Serbisë, është vështirë të dalin para ligjit”,
tha Qehaja.

Prishtina nuk ka arritur të shtrijë kontrollin në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Ndërsa ura e Ibrit, që lidh pjesën jugore të Mitrovicës të banuar me shqiptarë dhe atë veriore me serbë, ka qenë shpeshherë arenë incidentesh mes serbëve dhe shqiptarëve.

KFOR-i e EULEX-i kanë thënë se do të shtojnë pikat e kontrollit dhe patrullimet në të dyja anët e qytetit. Por, njëri nga liderët e serbëve të veriut, Marko Jakshiq, tha se nuk po vë re masa të shtuara të sigurisë.

“Në veri të qytetit të Mitrovicës nuk ka asgjë. Unë jam në qendër të qytetit dhe nuk ka as pika të kontrollit e as asgjë. Ajo që shoh, është atmosferë e qetë me plot njerëz. Por, mund të them se ky është edhe një presion ndaj komunitetit serb që jeton këtu”.

“Nuk mund t’i përkrah këto masa, duke marrë parasysh se gjendja më e rëndë është në pjesët tjera të Kosovës. Duket se serbët, vetëm me praninë e tyre, po u pengojnë”,
tha Jakshiq.

Integrimin e veriut e synoi edhe Qeveria me Zyrën Civile Ndërkombëtare, duke hartuar një strategji. Por, 10 muaj pas publikimit të këtij plani, rezultatet nuk shihen në veri, ndërsa vetë Zyra e Koordinatorit të kësaj strategjie i ka hedhur fajin faktorit ndërkombëtar se nuk po bën sa duhet për të zgjidhur problemin e pjesës veriore.

Një gjë të tillë e pohon edhe Ramadan Qehaja.

“Për të pasur sukses, duhet vepruar para se të ndodhin gjërat dhe jo sipas kësaj që ka ndodhur deri tash, pas incidenteve, pas vrasjeve, pas plagosjeve... Domethënë, faktori ndërkombëtar në atë pjesë të territorit është gjithmonë me vonesë, vrapon pas ngjarjeve, jo para ngjarjeve”.

“Nuk ka preventivë e kjo është dobësia më e madhe, edhe për EULEX-in, edhe për KFOR-in, e mos të flas për policinë tonë, e cila atje nuk vepron. Dhe, aq sa vepron, është veprim shumë i dobët dhe nuk ka efekt të duhur”,
tha Qehaja.

Ditë më parë, kreu i Policisë, Behar Selimi, shkarkoi nga detyra disa komandantë e zyrtarë të lartë policorë në stacionet në Mitrovicë dhe në pikat kufitare në veri, për shkak të mosefikasitetit në punë. Raportohet se disa nga policët serbë të veriut të Kosovës bashkëpunojnë apo punojnë edhe për Ministrinë Serbe të Punëve të Brendshme.

Lexoni edhe këtë: Kush po i financon strukturat paralele?
XS
SM
MD
LG