Ndërlidhjet

logo-print

Zbulohen gjallesa të reja


Një nga speciet e zbuluara

Një nga speciet e zbuluara

Shkencëtarët e kanë kompletuar një studim 10-vjeçar të oqeaneve botërore, ndërsa të gjeturat ofrojnë detaje të paprecedentë lidhur me bollëkun e jetës nënujore. “The Census of Marine Life” (Regjistrimi i krijesave të gjalla nënujore), është hulumtimi i parë i këtij lloji, i cili ka zbuluar mbi 6 mijë gjallesa që ka shumë mundësi të jenë specie të panjohura deri më tash. Biologët e detit thonë se ky studim do të jetë vlerë e paçmueshme për trajtimin e rreziqeve për oqeanin, siç është ngrohja globale dhe rrjedhjet e naftës.


Pas një dekade kërkimesh, qindra ekspedita në oqean, mijëra orë pune të shkencëtarëve që vijnë nga 80 shtete, projekti në fjalë ka bërë shikimin më gjithëpërfshirës të bërë ndonjëherë, për jetën nën sipërfaqe të ujit.

Njëri nga pjesëtarët e projektit, specialisti i oqeaneve, Xhejms Bejker, njëjtë sikurse plot shkencëtarë të tjerë, është entuziast që ky projekt do të ndihmojë për të parë edhe dëmet që i ka shkaktuar njeriu në jetën nën sipërfaqen e ujit.

“Komuniteti i shkencëtarëve ishte shumë i interesuar që të kuptojë çka ka në oqeane, çka nuk dimë, çka do të zbulojmë dhe cila është shpërndarja e specieve. Megjithatë, ne kurrë nuk e kishim mundësinë, as të mbledhim njerëzit e duhur për një projekt të tillë, e as të mbledhim fondet e mjaftueshme”
, vlerëson shkencëtari Bejker.

Shuma prej 650 milionë dollarësh, sa kushtoi i tërë projekti, u sigurua nga 600 grupe të ndryshme, përfshirë qeveritë, korporatat, organizatat jo përfituese dhe universitetet.

Një nga mijëra speciet e zbuluara është një krijesë në Oqeanin Atlantik që shkencëtarët e shpjegojnë si një lidhje gati e humbur e kafshëve që kanë shtyllë kurrizore dhe atyre që nuk kanë.

Me këtë projekt, numri i gjallesave të njohura që jetojnë nën ujë rritet për 20 mijë, pra nga 230 mijë sa kanë qenë të identifikuara, tashmë njihen 250 mijë specie kafshësh nënujore.

Ekologu Ijën Poiner, i cili ishte udhëheqës i komitetit drejtues të projektit, thotë se shkencëtarët ishin të befasuar kur zbuluan se sa të afërt me njëra-tjetrën janë gjallesat nënujore të botës.

“Ne kemi parë tuna që lëvizin nga bregu perëndimor i SHBA-ve për në Japoni dhe më pas kthehen prapa në të njëjtin vend. Ka gjithashtu edhe peshkaqenë që notojnë nga bregu jugperëndimor i Australisë në drejtim të Afrikës së Jugut dhe më pas edhe ata kthehen prapa. Këtë lloj të lidhjes ne ende nuk e kemi kuptuar”,
thotë Poiner.

Ndikimi më i madh i këtij projekti duket se do të jetë te llogaritja e dëmeve të shkaktuara nga njeriu. Ishte tërësisht koincidencë që ekipi, i cili e realizoi projektin, një pjesë të punës kërkimore e bëri në Gjirin e Meksikës, pak para se kompanisë British Petroleum t’i shpërthejë një nga puset e saj të naftës.

Rrjedhja e naftës që ndodhi për 4 muaj rresht, konsiderohet si një nga katastrofat më të mëdha natyrore në historinë e SHBA-ve.

Në vitin 2009, studimi i bërë në Gjirin e Meksikës nxori si përfundim se 8 mijë specie të ndryshme jetojnë në atë pjesë të sipërfaqes nënujore.

Kjo shifër do t’iu ndihmojë biologëve të konstatojnë se në çfarë përmasash po përmirësohet ekosistemi, tani kur dhe katastrofa e derdhjes së naftës së kompanisë “BP” është ndaluar.

Për këto dhe zbulime të tjera të shumta, një nga iniciatorët e projektit, Xhesi Ausubel ka thënë se ai dhe shkencëtarët pjesëmarrës në projekt janë ndjerë sikur personat që krijuan fjalorin dhe enciklopedinë e parë, para 250 vjetësh. (a.h.)
XS
SM
MD
LG