Ndërlidhjet

Kosova, është i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që funksionon pa ligjin mbi rezervat shtetërore, vlerësojnë ligjvënësit kosovarë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Ata thonë se në mungesë të këtij ligji, autoritetet kosovare nuk kanë mundur të intervenojnë në raste të jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore dhe rasteve humanitare. Miratimi i këtij ligji, nga ekspertët konsiderohet i një rëndësie strategjike.


Ligjvënës kosovarë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se në mungesë të ligjit mbi rezervat shtetërore, qytetarët e Kosovës shumë herë nuk kanë mundur të gëzojnë mbështetjen e shtetit, në rast të fatkeqësive natyrore apo krizave të ndryshme ekonomike.

Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se Kosova është ekonomi e eurozonës, prandaj veprimet e matura janë thelbësore në përcjelljen e politikës fiskale.

Sipas tij, mbajtja e rezervës për stabilitet është e rëndësishme si për kredibilitetin e politikave, po ashtu edhe për ekonominë në tërësi.

“Ka qenë një zbrazëti, një e metë e institucioneve në këtë drejtim që nuk kanë vepruar më shpejt. Kjo mund të kuptohet si faza e ndërtimi të institucioneve. Rezervat shtetërore, përveç që duhet të kenë një ligj, duhet të ndahet edhe një buxhet që të sigurohen këto rezerva”
, shprehet Shatri.

Ndryshe, projektligji mbi rezervat shtetërore ka hyrë në procedurë, është miratuar në parim dhe aktualisht është në diskutim nëpër komisionet parlamentare.

Shkaktarë të mosmiratimit të këtij ligji, sipas Shatrit, kanë qenë disa mangësi që lidhen me koston, me përmbajtjen e mallrave dhe me atë se cilat nga ato mallra duhet të konsiderohen të domosdoshme për t’u mbajtur si rezerva shtetërore dhe sasia e tyre.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë kërkojnë nga autoritetet kosovare që t’i përmbushin obligimet kushtetuese dhe institucionale ndaj qytetarëve të vet dhe t’iu dalë në ndihmë në raste emergjente.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani, thotë se pa rregullimin e mekanizmave legjislativë autoritetet kosovare nuk do të mund të intervenojnë.

Për të intervenuar në këto raste, Qeveria jonë nuk ka marrë ndonjë masë deri më tani dhe nuk mund të marrë, pasi që nuk është e përgatitur as në aspektin legjislativ, e as në atë konkret”.

“Për të bërë një gjë të tillë, Qeveria duhet të ketë rezerva shtetërore. Në çdo vend të botës rezervat shtetërore janë të obligueshme dhe përcaktohen me ligj, prandaj edhe të ne duhet të ketë ligj, i cili aktualisht nuk ekziston”
, thotë Limani.

Musa Limani thekson rastin e fundit të shtrenjtimit të bukës, kur autoritetet kosovare nuk intervenuan pikërisht për shkak të mungesës së ligjit mbi rezervat shtetërore.

“Udhëheqësit tanë, një gjë të tillë vetëm nëse e arsyetojnë se në Kosovë mungojnë depot, nuk kemi depo, prandaj në këto raste shteti me rezervat e veta shtetërore e furnizon tregun dhe në këtë mënyrë e bën balancimin e ofertës dhe kërkesës. Në këtë mënyrë e balancon çmimin”,
thekson Limani.

Sidoqoftë, ekspertët dhe ligjvënësit shprehen skeptikë sa i përket krijimit të rezervave shtetërore. Ata thonë se do të kalojë një kohë e gjatë derisa Kosova të mund të krijojë rezerva të mjaftueshme.

Ndryshe, në projekt-buxhetin e vitit 2009 duke pasur parasysh edhe krizën ekonomike globale, Qeveria kishte shtuar nga 50 në 200 milionë euro rezervat shtetërore, të cilat mund të përdoreshin në rast të krizave apo fatkeqësive elementare.

Ndërsa, në kornizën afatmesme të shpenzimeve 2011-2013, Qeveria e Kosovës është zotuar të ruajë rezervën për stabilitet fiskal në atë nivel që është konsideruar të jetë i mjaftueshëm për të menaxhuar riskun e likuiditetit sistematik dhe për të siguruar menaxhimin e duhur të parasë së gatshme të buxhetit të Qeverisë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG