Ndërlidhjet

Debati për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë tashmë është bërë tema qendrore e diskutimeve te të gjitha partitë politike. Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime në ligjin për zgjedhjet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar pezullimin nga zgjedhjet e ardhshme për partitë politike që nuk e kanë përfunduar fillimisht procesin e zgjedhjeve partiake.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u ka drejtuar një letër ushtruesit të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, dhe kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me kërkesën që t’i respektojnë ligjet në fuqi dhe t’u pamundësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje partive politike, të cilat nuk e kanë përfunduar fillimisht procesin e brendshëm zgjedhor.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se ka parti politike në Kosovë që nuk i janë nënshtruar fare procesit të brendshëm zgjedhor, edhe pse janë të obliguara me ligj dhe pretendojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme.

“Rregulla për regjistrimin dhe veprimin e partive politike ka rëndësi jetike në zhvillimin e demokracisë së brendshme të subjekteve politike në Kosovë, prandaj respektimi i saj është obligim i të gjitha partive politike në Kosovë”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e bindur se respektimi i Kushtetutës, ligjeve dhe rregullave është themel, mbi të cilin mund të ndërtohet shteti ligjor i Kosovës”
, ka thënë Ramadani.

Lidhur me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, AAK-ja ka kundërshtuar një propozim ende jo zyrtar që është plasuar në media që zgjedhjet të mbahen në fund të janarit.

Sipas Ramadanit, koha deri në janar, është shumë e shkurtë për të përgatitur një proces të mirë zgjedhor. Ai e ka përmendur si problematikë edhe motin e ftohtë që mund të mbretërojë gjatë janarit.

“Besoj se do të jetë shumë ftohtë dhe ta themi qartë, nëse do të mbaheshin në Afrikë apo në Australi, besoj se do të ishte koha më e mirë. Nuk mund të mbahen më 30 janar. Ta themi me shaka, ndoshta është shumë nxehtë në atë kohë dhe qytetarët do të djersiten në rend duke pritur për të votuar. Pra, është krejtësisht e pamundur”,
ka theksuar Ramadani.

Përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme, si edhe ato partiake, kanë qenë temë debati edhe në takimin e së mërkurës të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Astrit Haraqija, ka thënë se LDK-ja po përmbyllë fillimisht procesin e brendshëm zgjedhor dhe më pas do t’i qaset edhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

“Besoj që procesi në LDK do të kryhet deri më 31 tetor, pastaj do të vazhdojmë me zgjedhje normale. Sot e kemi bërë kërkesën si LDK që të shkohet me listën e votimit 5 plus 1, që është jashtëzakonisht mirë”,
ka deklaruar Haraqija.

Një mbështetje procesit të ardhshëm zgjedhor në Kosovë i ka dhënë edhe ambasadori francez në Prishtinë, Zhan Fransoa Fitu. Pas një takimi që ka zhvilluar me kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiu, ambasadori francez ka thënë se komuniteti ndërkombëtar mbështet organizimin e një procesi demokratik e të lirë zgjedhor.

“Vendi im, sikurse edhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar nuk ndërhyn në procesin zgjedhor, por e mbështet një proces demokratik dhe të lirë, pavarësisht se cila parti do të dalë fituese në zgjedhje”, është shprehur ambasadori Fitu.

Të gjitha partitë politike në Kosovë tashmë i janë nënshtruar debatit në lidhje me zgjedhjet e parakohshme.

Disa nga to kërkojnë reforma zgjedhore para se të shkohet në votime, përderisa të tjera kryesisht janë të përqendruara më shumë në datën apo kohën e organizimit të këtyre zgjedhjeve.

Lexoni edhe këto: Ende pa marrëveshje për afatin e zgjedhjeve
Krasniqi: Askush nuk përkrah zgjedhjet gjatë këtij viti
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG