Ndërlidhjet

logo-print

Michelle Obama, gruaja më e fuqishme në botë

  • RFE /RL

Michelle Obama

Michelle Obama

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama, është zgjedhur gruaja më e fuqishme në botë për këtë vit.

Sipas listës vjetore të përpiluar nga revista Forbes, gruaja e presidentit të SHBA-ve ka lënë pas drejtuese shteti, shefe ekzekutive, bankiere, atlete…

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila vitin e kaluar kryesonte listën, ka rënë në vendin e katërt. Vendin e 5-të zë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, për t’u pasuar nga Zonja e Parë franceze, Karla Bruni, në vendin e 35-të, dhe Mbretëresha britanike në vendin 41…

Revista tha se Michelle Obama është në krye të listës, për faktin se “ajo e ka bërë të veten zyrën e Zonjës së Parë”, duke mbetur e popullarizuar.

Indeksi i këtij viti, sipas Forbes, është bazuar më shumë në ndikimet kreative dhe në iniciativat private.

Drejtoresha ekzekutive e kompanisë Pepsi, Indra Nooyi, e cila javën e kaluar u emërua gruaja më e fuqishme e biznesit amerikan, për të pestën herë nga revista Fortune, zuri vendin e gjashtë, vetëm një pozitë më lart se këngëtarja e popit Lady Gaga. Kjo e fundit, mes tjerash, u rreshtua edhe për mbështetjen e saj vokale dhënë të drejtave të homoseksualëve.

Sipas listës së revistës Forbes, tetë nga dhjetë gratë më të fuqishme në botë vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (v.t.)


Lista e dhjetë grave më të fuqishme në botë:

1. Michelle Obama, Zonjë e Parë e Shteteve të Bashkuara

2. Irene Rosenfeld, drejtoreshë ekzekutive “Kraft Foods”

3. Opra Wingrey, prezantuese

4. Angela Merkel, kancelare gjermane

5. Hillary Clinton, Sekretare amerikane e Shtetit

6. Indra Nooyi, shefe ekzekutive “Pepsi”

7. Lady Gaga, këngëtare

8. Gail Kelly, drejtoreshë ekzekutive “Wstpac Bank”

9. Beyonce Knowles, këngëtare dhe dizajnuese e modës

10. Ellen DeGeneres, prezantuese
XS
SM
MD
LG