Ndërlidhjet

logo-print

PE-ja miraton heqjen e vizave për Shqipërinë e Bosnjën



Parlamenti Evropian ka miratuar me shumicë votash liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë Hercegovinës. Me 538 vota për dhe 47 kundër europarlamentarët kanë miratuar rezolutën e deputetes Tanja Fajon për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Fajon në fjalën e saj para votimit kërkoi nga eurodeputetët që të miratojnë heqjen e vizave për këto dy vende pasi i kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga KE-ja.

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, përmes një deklarate, ka falenderuar Parlamentin Evropian për vendimin historik që i hap rrugë lëvizjes së lirë të shqiptarëve.

Në mbledhjen e 8 nëntorit të ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian pritet të merret vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnjës. Nga 19 dhjetori i vitit të kaluar pa viza në hapësirën Shëngen lëvizin qytetarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG