Ndërlidhjet

PE miraton heqjen e vizave për Shqipërinë e Bosnjën

  • Augustin Palokaj

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Parlamentarët kërkuan që Kosova të jetë pjesë e procesit të liberalizimit. Komisionarja Malstrom tha se Kosova duhet të plotësojë kriteret.



Parlamenti Evropian ka votuar të enjten në seancën plenare në Bruksel me shumicë të madhe votash për të mbështetur liberalizimin e vizave me Republikën e Shqipërisë dhe me Bosnjë-Hercegovinën.

Me këtë është bërë hapi i parafundit para se të mund të hyjë në fuqi vendimi që qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Bosnjë Hercegovinës të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen pa pasur nevojë që të kenë viza.

Para se të votohej, ishte zhvilluar një debat në Parlamentin Evropian, ku shumica e deputetëve e kishin mbështetur këtë vendim.

Të paktë ishin ata që kundërshtuan dhe kryesisht vinin nga radhët e partive të ekstremit të djathtë. Pas vendimit të Parlamentit Evropian pritet që ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së të marrin vendimin përfundimtar.

Në këto momente, nga burime diplomatike mësohet se dy shtete, Franca dhe Holanda, kanë ende disa rezerva. Mirëpo, pritet që pas takimit që do të kenë ekspertët e dy vendeve me ekspertët Komisionit Evropian, edhe Franca e Holanda ta mbështesin këtë vendim.

Sipas planeve të Bashkimit Evropian, vendimi do të duhej të merrej në takimin e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare në muajin nëntor.

Nëse kjo ndodh sipas planit, atëherë do të hynte në fuqi mundësia e lëvizjes pa viza për këta qytetarë në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit që vjen.

Me heqjen e vizave për Bosnjë Hercegovinën dhe Shqipërinë, Kosova do të mbetet vendi i vetëm i rajonit të Ballkanit, i cili nuk është përfshirë fare në procesin e liberalizimit të vizave.

Komisionarja për çështje të drejtësisë, Sesilia Malstrom, ka thënë në debatin e zhvilluar në Parlamentin Evropian, se Kosova nuk është harruar, mirëpo me Kosovën do të niset procesi sapo ajo t’i përmbushë kriteret.

Shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë tërhequr vërejtjen se Kosova nuk duhet të lejohet të mbetet për një kohë të gjatë e izoluar dhe se duhet të gjendet sa më shpejt një rrugë për ta përfshirë edhe Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Mirëpo, mbështetja nga ana e deputetëve të Parlamentit Evropian për Kosovën nuk mjafton, sepse duket se ka hezitim në mesin e shteteve anëtare, por edhe nga zyrtarët e Komisionit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG