Ndërlidhjet

Dushanbe: Garda Kombëtare e përgënjeshtron numrin e të vrarëve


Garda Kombëtare e Taxhikistanit i ka përgënjeshtruar raportet e shumta të mediave, se 28 vetë janë vrarë nga përplasja e helikopterit në pjesën lindore të këtij vendi, ku në zhvillim e sipër është operacioni kundër militantëve islamikë.

Në kumtesën e Gardës Kombëtare thuhet se katër anëtarë të ekuipazhit janë vrarë kur helikopteri u përplas, ndërsa, nga lëndimet e pësuara, më vonë kanë vdekur edhe tre pjesëtarë të ekipit për mbështetje teknike.

Një zëdhënëse tha se përplasja qartazi kishte ndodhur për shkak të problemit teknik.

Sot më herët, duke i cituar burimet ushtarake, mediat raportuan se së paku 28 vetë, përfshirë edhe ushtarë të një njësiti elit anti-terror, janë vrarë kur helikopteri i tyre u rrëzua, për shkak të, siç mendohej, sulmit të mundshëm raketor nga militantët.

Zëdhënësja Hairinisho Komilova, nuk ka bërë komente lidhur me raportet se gjashtë pjesëtarë të Gardës Kombëtare, janë vrarë poashtu sot, nga shpërthimi i një mine tokësore në Rasht.

Forcat qeveritare të Taxhikistanit e kanë filluar një operacion special për zënien e militantëve në Luginën Rasht, pasi së paku 26 ushtarë ishin vrarë në një pritë kundër konvojit ushtarak, në muajin shtator, në këtë rajon.

Zyrtarët thonë se militantët po udhëhiqeshin nga ish komandantët e forcave opozitare islamike, që luftuan kundër forcave qeveritare, gjatë luftës civile në Taxhikistan, në periudhën 1992-1997.
XS
SM
MD
LG