Ndërlidhjet

logo-print

Prishtinë: Bashkësia Islame kundër protestës për shaminë


Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava u ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që të “mos bien pre e thirrjeve të disa organizatave joqeveritare me karakter fetar”, të cilat kanë paralajmëruar protesta në Prishtinë për ditën e premte.

Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës nuk qëndron prapa këtyre protestave.

“Ftoj qytetarët që të mos bien pre e disa shoqatave joqeveritare të cilat kanë marrë një rol që nuk u takon”, tha Tërnava.

Këto komente, myftiu Tërnava i bëri pas një takimi që zhvilloi me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Protesta e paralajmëruar është thirrë në mbrojtje të shamisë nëpër objektet shkollore dhe në shenjë kundërshtimi me një urdhër administrativ të Ministrisë së Arsimit, në bazë të të cilit “ndalohet bartja e uniformës fetare në objektet e institucioneve arsimore”.

Myftiu Tërnava tha se kjo çështje është ngritur tashmë nga Bashkësia Islame përmes Avokatit të Popullit dhe është në duart e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me lejimin e përdorimit të shamisë në institucione publike.
XS
SM
MD
LG