Ndërlidhjet

Shkup: Gjuha maqedonase nga klasa e katërt


Pamje ilustruese
Pamje ilustruese
Mësimi i maqedonishtes për nxënësit jomaqedonas mbetet obligim prej klasës së katërt, kurse më herët mund të mësohet vetëm në rast se për një gjë të tillë vendosin këshillat prindërorë.

Kjo zgjidhje parashihet në strategjinë e re për arsim të Qeverisë së Maqedonisë, e cila sot u prezantua nga zëvendëskryeministri Abdylhaqim Ademi, komisari i lartë i OSBE-së për pakicat, Knut Volebek, dhe ministri i Arsimit, Nikolla Todorov.

“Strategjia parasheh që në fazën e parë, gjuha maqedonase të mund të mësohet në klasën e parë, por jo në mënyrë obligative. Ndërsa, u jep mundësinë që këshillat e prindërve dhe këshillat e shkollave të vendosin se në cilën klasë do të fillojë njohja me maqedonishten, sepse nuk do të ketë mësim klasik, por njohje me maqedonishten”.

“Po ashtu, deri tani ka ekzistuar mundësia që maqedonasit ta mësojnë shqipen prej klasës së gjashtë, kurse tani kjo mundësi parashihet prej klasës së parë”,
deklaroi zëvendëskryeministri Ademi, përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, nënvizoi se në shkollat, ku eventualisht do të vendoset të mësohet maqedonishtja prej klasës së parë, ajo do të mësohet përmes lojës dhe nuk do të evidentohet si lëndë.

“Bëhet fjalë për një koncept fleksibil që gjuha maqedonase të mësohet përmes lojës që nga klasa e parë, nëse për këtë vendosin këshillat prindërorë”, sqaroi Todorov, duke bërë të ditur se me këtë strategji parashihet mundësia që edhe nxënësit e entitetit maqedonas ta mësojnë gjuhën shqipe si lëndë fakultative.

Ndërkaq, komisari i lartë i OSBE-së, Knut Volebek, porositi autoritetet shtetërore të Maqedonisë që “strategjia e re për arsim” duhet të paraqesë benefit për krijimin e urave lidhëse mes etniteteve dhe assesi të shihet si “kleçkë” që shkakton tensione në raportet ndëretnike.

“Kjo strategji duhet të implementohet në atë mënyrë që të paraqesë benefit për të gjitha etnitetet në Maqedoni. Pra, bëhet fjalë për një proces, ku do të duhet të konsultohen të gjithë, si pushteti vendor, këshillat e prindërve, ashtu dhe sektori civil. I gjithë procesi duhet të udhëhiqet nga transparenca”, theksoi Volebek, me ç`rast u distancua nga informatat se ai ka sugjeruar që maqedonishtja të mësohet prej klasës së parë.

“Unë kam thënë se është me rëndësi që të njihen gjuhët e njëri-tjetrit, por për mënyrën se si duhet të bëhet, vendos vetë qeveria. Njohja e gjuhëve duhet të bëhet sa më herët, por ne asnjëherë nuk kemi thënë se maqedonishtja duhet të mësohet nga klasa e parë”, deklaroi Volebek.

Strategjia për arsim, para dy ditëve, ka kaluar edhe në Qeveri, kurse implementimi i plotë i saj do të përfundojë në vitin 2015.

Me këtë strategji kanë dështuar tentimet e Ministrisë së Arsimit që maqedonishtja si lëndë e obligueshme të mësohet prej klasës së parë nga nxënësit jomaqedonas.

Një vendim të këtillë që e solli ministri i Arsimit, para disa muajve, me kërkesë të organizatës joqeveritare ‘Realiteti’ dhe Rinisë Demokratike Shqiptare, e abrogoi Gjykata Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG