Ndërlidhjet

logo-print

Protestë e serbëve kundër EULEX-it


Pamje nga arkivi

Pamje nga arkivi

Serbët e Leposaviqit kanë protestuar kundër vendosjes së një antene nga ana e EULEX-it në pikën kufitare të quajtur Porta 1. Misioni evropian ka thënë se nuk do të tolerojë asnjë akt dhune, qoftë kundër stafit, qoftë kundër pajisjeve të misionit.

Vendosja e një antene nga ana e EULEX-it, ka nxitur një protestë të serbëve të veriut. Dhjetëra serbë të Leposaviqit janë mbledhur në pikën kufitare të Jarinës për të kundërshtuar vendosjen e antenës, e cila u shërben nevojave të misionit evropian.

Protesta, sipas zëvendëskomandantit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ergin Mediq, ka qenë e qetë.

“Në Jarinë kemi protestë të qytetarëve të Leposaviqit. Diku rreth 30 - 50 njerëz janë mbledhur në Jarinë. Protesta është e qetë, nuk ka asnjë akt dhune dhe sipas informacioneve tona, arsyeja e protestës është vendosja e antenës për komunikim në Portën 1 dhe e cila shërben për komunikim të EULEX-it”
, ka thënë Mediq.

Misioni evropian për sundimin e ligjit ka bërë të ditur se pajisja është vendosur për t’u shfrytëzuar vetëm për nevoja të misionit. Ky mision ka thënë se nuk do të tolerojë akte dhune. Ndërsa, zëdhënësi Blerim Krasniqi, ka shpjeguar se ka pasur një pajtim paraprak për vendosjen e antenës.

“EULEX-i ka vendosur një antenë në Portën 1, e cila do të përdoret ekskluzivisht për nevojat e misionit në fushën e policisë dhe doganave. Çështja e vendosjes së saj është diskutuar dhe është rënë dakord bashkërisht nga të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë UNMIK-un dhe udhëheqësit e komuniteteve”,
ka bërë të ditur Krasniqi.

Që nga aksioni i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për heqjen e antenave dhe pajisjeve tjera të operatorëve ilegalë serbë në territorin e Kosovës, në veriun e vendit ka pasur një numër shpërthimesh, që cak kishin antenat e operatorëve legalë kosovarë.

Por, edhe pajisja e EULEX-it ka nxitur reagimet e politikanëve serbë. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka kritikuar EULEX-in, që, sipas tij, nuk ka paralajmëruar vendosjen e shtyllës së antenës.

“Veprime të tilla të EULEX-it nuk sjellin stabilizim të situatës, por përkundrazi, vetëm ngrenë dyshimin dhe shqetësimin e banorëve serbë”
, ka thënë për mediat serbe Goran Bogdanoviq.

Mësohet se disa njësi speciale të policisë së EULEX-it janë dërguar afër pikës kufitare në Jarinë, pikë kjo që dy vjet më parë qe djegur tërësisht nga serbët, në shenje proteste ndaj shpalljes së pavarësisë.

EULEX-i të enjten ka tërhequr vërejtjen se nuk do të tolerojë që të preket mbi anëtarët e misionit të tij.

“Një gjë duhet ta qartësoj: EULEX-i nuk do të tolerojë asnjë lloj dhune ndaj stafit, apo ndaj pajisjeve të misionit”,
ka deklaruar zëdhënësi Blerim Krasniqi.

Udhëheqësit e serbëve të veriut kanë kritikuar vendimin e fundit të KFOR-it, EULEX-it, dhe të Policisë së Kosovës për të rritur masat e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Këto masa janë ndërmarrë pas incidenteve të vazhdueshme në këtë pjesë.

Në lidhje me këtë, komandanti i KFOR-it, Erhard Byler ka informuar të enjten sekretarin e shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, gjatë një takimi që ka mbajtur në Leposaviq.

“Këto operacione janë përgjigje ndaj numrit të shtuar të ngjarjeve të dhunshme, gjatë javëve të shkuara, me ç’rast kanë ndodhur disa eksplodime dhe ka pasur përdorim të armëve të zjarrit. Qëllimi i këtyre operacioneve është t’u mundësojmë qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës të jetojnë në një ambient të qetë dhe të sigurt”,
citohet të ketë thënë komandanti i KFOR-it, Erhard Byler.

Në komunikatën për media të KFOR-it, thuhet se sekretari i shtetit, Oliver Ivanoviq, është pajtuar se është me rëndësi të zvogëlohet numri i incidenteve të dhunshme.

Ai citohet të ketë thënë se qytetarët në përgjithësi, nuk duhet të frikësohen nga mënyra e zhvillimit të këtyre operacioneve.

“Çdokush duhet ta ketë të qartë që forcat e sigurisë po luftojnë kundër veprimeve kriminale, shkaktarëve të dhunës si dhe posedimit të paligjshëm të armëve”,
citohet Ivanoviq.

Në njoftim thuhet se Byler ka siguruar se procesi do të jetë transparent dhe se nuk ka agjendë të fshehtë.

Patrullime në këmbë, pika kontrolli dhe prani e shtuar e ushtarëve dhe policëve vërehen në dy ditët e fundit në rajonin e Mitrovicës.

Ndërkohë, EULEX-i në ditët e fundit arrestoi dy të dyshuarit e parë serbë, nën akuzat për krim të organizuar. Ky mision ka bërë të ditur se ka një listë prej 25 personash të dyshuar, ndër ta 6 për krime të rënda.


Lexoni edhe këtë:
Kush po i financon strukturat paralele?
XS
SM
MD
LG