Ndërlidhjet

Mjedisi i pafavorshëm afarist, politikat kreditore në Kosovë dhe situata e përgjithshme ekonomike, kanë krijuar vështirësi për zhvillimin e bizneseve në vend, ndërsa rreth 1000 sosh shuhen brenda një viti, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve.

Ata thonë se e gjithë kjo situatë po e favorizon shpërfaqjen e fenomenit të huazimit ilegal të parave me normë të interesit, që njihet me termin “fajde”.

Eksperti për çështje të ekonomisë, Musa Limani, nga Instituti Ekonomik i Kosovës, thotë se jo rrallë bizneset, kryesisht ato më të dobëtat, kanë probleme momentale, për zgjidhjen e të cilave kërkojnë kredi në bankat e Kosovës.

Por, sipas tij, përgjithësisht në Kosovë, bankat kanë kuota të larta të normave të interesit ose nuk japin fare kredi për disa biznese të vogla. Në tentim për të shpëtuar bizneset e veta, thotë Limani, biznesmenët e caktuar devijojnë rrugët e ligjshme.

“Në mungesë të marrjes së kredive, për arsye se bankat nuk iu akordojnë kredi të gjitha bizneseve, ato marrin kredi te njëri-tjetri ose huazojnë para te njëri-tjetri. Me fjalë të tjera, marrin para me fajde”, thotë Limani.

Por, Milazim Abazi, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se bizneset e mirëfillta, nuk marrin hua ilegale apo fajde, sepse ato orientohen te bankat. Por, sipas tij, pre e, siç i quan ai, fajdexhinjve, janë bizneset që nuk kanë arritur të krijojnë stabilitet.

“Fajdexhinjtë zakonisht vizitojnë bizneset, që janë ‘të lodhura’, që nuk mund të gjejnë zgjidhje te bankat. Është një grup, do të thosha i krimit të organizuar apo kriminelësh, me të cilët duhet urgjentisht të merret shteti, organet e ndjekjes”.

“Në këtë mënyrë, ata realisht po bëjnë shkatërrimin edhe të një pjese të bizneseve, duke i futur në telashe të mëdha dhe në fund duke ua marrë edhe pronat, me metodat që ata i kanë”,
thotë Abazi.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se ka pasur raste që kanë arrestuar persona që japin hua ilegale dhe të tillët i kanë adresuar te organet e drejtësisë.

Baki Kelani, zëdhënës i policisë, thotë se, megjithatë, rastet e huadhënies ilegale nuk janë në numër të madh në Kosovë.

“Mund të themi se ka raste të tilla, raste të fajdeve, mirëpo jo në një numër të madh. Policia e Kosovës, në bazë të informatave dhe planeve konkrete që i ka për luftimin e kësaj dukurie negative, vazhdon të jetë aktive - nga Drejtoria e krimeve ekonomike në nivelin qendror dhe në nivelin e drejtorive rajonale”, thekson Kelani.

Ndryshe mendon profesor Limani, i cili thotë se fajdetë tashmë janë shndërruar në një fenomen.

“Sa e di situatën në Kosovë, çështja e fajdeve është shumë e ngritur dhe problemet janë jashtëzakonisht të mëdha. Në këtë mënyrë, ato (bizneset) futen në borxhe gjithnjë më të mëdha dhe vijnë deri te falimentimi”, thotë Limani.

Ndërkaq, Milazim Abazi, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, kërkon qasje më këmbëngulëse të organeve të rendit dhe të drejtësisë, për çrrënjosjen e huadhënies ilegale - si formë e krimit të organizuar.

Fajdexhinjtë janë kriminelë, përmes shtypjes që bëjnë te bizneset, përmes kamatave tepër të larta dhe të papërballueshme. Secili njeri që futet në fajde, patjetër se do të falimentojë dhe fundin do ta ketë shumë të keq. Këtu duhet të veprojë shteti”.

“Fajdexhinjve nuk duhet lënë hapësirë për të vepruar. Edhe qytetarët duhet të mos orientohen te fajdetë, por edhe shteti duhet të jetë shumë më vigjilent, që këta njerëz t’i gjuajë, t’i kapë dhe t’i ndalojë veprimet e tyre”,
thekson Abazi.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG