Ndërlidhjet

Kosovë: Byhler e informoi Ivanoviqin për masat e shtuara në veri


Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler, e ka informuar sot sekretarin e shtetit në ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, lidhur me masat e shtuara të sigurisë nga ana e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

“Këto operacione janë përgjigje ndaj numrit të shtuar të ngjarjeve të dhunshme të cilat kanë ndodhur gjatë javëve të shkuara, me ç’rast kanë ndodhur disa eksplodime dhe ka pasur përdorim të armëve të zjarrit”, ka thënë gjenerali Byhler dhe ka shtuar se “qëllimi i këtyre operacioneve është t’i mundësojmë qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, të jetojnë në një ambient të qetë dhe të sigurt”.

Këto komente ai i bëri pas takimit me zotin Ivanoviq në Leposaviq.

Më tutje, në komunikatën për media të KFOR-it, thuhet se zyrtari i Serbisë është pajtuar se është me rëndësi të zvogëlohet numri i incidenteve të dhunshme.

Oliver Ivanoviq ka thënë se qytetarët në përgjithësi, nuk duhet të frikësohen nga mënyra e zhvillimit të këtyre operacioneve dhe se duhet bërë e qartë, që forcat e sigurisë po luftojnë kundër veprimeve kriminale, shkaktarëve të dhunës dhe posedimit të paligjshëm të armëve.

Në njoftim thuhet se Byhler ka siguruar se procesi do të jetë transparent dhe se nuk ka agjendë të fshehtë.
XS
SM
MD
LG