Ndërlidhjet

Tetovë: Tubim solidarizues me Ramush Haradinajn


Në Tetovë, u mbajt tubimi solidarizues, me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili ndodhet në burgun e Hagës, për rigjykim të pjesshëm për akuzat e ngritura ndaj tij nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Tubimi u organizua nga 40 organizata joqeveritare shqiptare.

“ Ky tubim vulos bindjen se shqiptarët besojnë fuqimisht në pafajsinë e zotit Haradinaj. Ky tubim solidarizues dëshmon se populli shqiptar di të qëndrojë pranë atyre që nuk kursyen as më të voglën, as më të madhen, as të brëndshmen dhe as të jashtmen. Zoti Ramush Haradinaj mbetet një ikonë e vlerave kombëtare, jo vetëm për lideshipin e paparë politik, por, edhe për stoicizmin kombëtar ”, deklaroi ,Valon Bela, përfaqësues rrjetit të organizatave joqeveritare.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, tha se tubimi i sontëm edhe njëherë dëshmon se shqiptarët, kudo qofshin, i respektojnë lartë të gjithë ata që sakrifikuan për çështjen kombëtare.

“Përmes këtij tubimi ne shfaqim respektin ndaj figurave të rëndësishme të kombit tonë dhe japim mesazhin se do e vlerësojmë lartë gjithnjë mundin e tyre”, u shpreh Sadi Bexheti.

Tubimi solidarizues me Ramush Haradinaj u mbështet nga të gjitha partitë politikë shqiptare, në pushtet dhe opozitë, nga Bashkësia Islame e Maqedonisë dhe Unionet e Studentëve të dy Universiteteve në Tetovë.

Në prononcimet e tyre, përfaqësuesit e partive politike shprehën bindjen e thellë se Tribunali i Hagës edhe njëherë do të konfirmoj pafajësinë për Ramush Haradinaj.
XS
SM
MD
LG