Ndërlidhjet

Ekspozitë: Hebrenjtë e mbrojtur me Besë


Mbrëmë në Galerinë e Arteve të Kosovës është hapur ekspozita e fotografive e titulluar “Besa: Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, e autorit amerikan Norman Gershman.


Ekspozita e fotografive, e titulluar “Besa: Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, mundëson një pikëpamje personale për sakrificat dhe rreziqet, nëpër të cilat kanë kaluar shumë shqiptarë për t’iu ndihmuar të tjerëve.

Kështu është vlerësuar ekspozita e autorit amerikan, Norman Gershman, e cila është hapur mbrëmë në Galerinë e Arteve të Kosovës, në Prishtinë.

Ekspozita ka përfshirë një numër të madh të fotografive të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët i kanë strehuar, ruajtur dhe ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse autori i ekspozitës nuk ka qenë i pranishëm në hapjen e saj, për të ka folur Majkëll Mërfi, zëvendësshef i misionit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ai ka thënë se Norman Gershman ka udhëtuar për katër vjet, në mënyrë që të bënte fotografitë që flasin për dhembshurinë, guximin, heroizmin, vendosmërinë, si dhe për mirësinë dhe dashurinë për njerëzimin.

“Për t’i mbledhur këto fotografi dhe tregime prekëse që ato i përçojnë, Gershman është takuar me anëtarët e familjeve, që ishin dhe mbesin dëshmitarë të këtyre veprave të Besës”.

“Ata që e mbajnë mend nderimin e traditës suaj të bukur të mbrojtjes dhe përkujdesjes ndaj mysafirëve, sikur të ishin fëmijë të asaj familjeje, pa përkushtimin e zotit Gershman dhe të tjerëve që janë në publik sonte, këto tregime ndoshta do të mbeteshin të fshehura, siç kanë mbetur për shumë vjet, prapa perdeve komuniste të Shqipërisë dhe Jugosllavisë”,
ka thënë Mërfi.

Ai ka shtuar se fotografitë e ekspozuara përfaqësojnë edhe shumë e shumë njerëz të tjerë, të cilët kanë kryer vepra personale të guximshme.

“Ata janë ngritur për të mbrojtur të pafajshmit dhe për të bërë atë që ishte e duhur dhe e drejtë, përkundër rrezikut dhe vështirësive që këto veprime ngërthenin. Prandaj, unë i përshëndes dhe i falënderoj të gjithë ata në këto fotografi dhe shumë të tjerë që nuk janë përfshirë në këtë ekspozitë”, është shprehur Mërfi.

Në ekspozitë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e familjeve të shqiptarëve të Kosovës, që kishin mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Njëri prej tyre ishte Lekë Rezniqi, sekretar i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, i cili e ka quajtur mjaft të rëndësishme ekspozitën e fotografit Gershman.

“Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme, në vazhdën e punës së përgjithshme që është duke u bërë nga një komunitet i gjerë, për të treguar këtë vepër shumë madhore dhe humane, që është treguar nga kombi ynë, si i vetmi komb, që në mënyrë të organizuar, ka shpëtuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

“Duhet të theksoj edhe një gjë, se Shqipëria ka qenë vendi i vetëm në Evropë, që pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur numër më të madh të hebrenjve sesa para luftës, për dallim prej të gjitha shteteve tjera. Pra, shqiptarët e Kosovës kanë qenë ata që iu kanë mundësuar atyre kalimin për në ‘tokën e premtuar’, siç është quajtur në atë kohë nga hebrenjtë Shqipëria”,
ka thënë Rezniqi.

Ndërkaq, Fahredin Spahija, drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës, ka thënë se ekspozita e autorit Norman Gershman nuk përmban vetëm anën dokumentare...

“Është fjala për një ekspozitë të fotografit shumë të njohur amerikan. Arsyeja pse kjo ekspozitë është hapur në Galeri, nuk është vetëm për shkak të anës dokumentare të fotografive që paraqiten, por edhe e anës artistike që bartin në vete. Jemi përballë portreteve të mrekullueshme që i ka realizuar Norman Gershman dhe sonte kemi rastin të kënaqemi dyfish”, ka deklaruar Spahija.

Ekspozita me fotografi e autorit Norman Gershman në Galerinë e Arteve të Kosovës është sponsorizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
XS
SM
MD
LG