Ndërlidhjet

Kontributi i Kosovës në sigurinë rajonale


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Niveli i sigurisë së Kosovës nuk varet vetëm nga autoritetet e rendit, por varet edhe nga kapacitetet e sigurisë rajonale, deklaruan përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe ekspertë të sigurisë në konferencën “Kosova dhe Siguria Rajonale”, organizuar nga Universiteti AAB-Riinvest dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se sa më parë që vendet e rajonit të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, siguria brenda në Kosovë dhe jashtë saj, do të jetë më madhe.

“Kosova nuk e sheh veten vend të izoluar në kuptimin e sigurisë, por më shumë e sheh vend që mund të kontribuojë në paqen dhe sigurinë rajonale, por mund të absorbojë paqe dhe siguri që prodhojnë të tjerët për rajonin dhe Kosovën”,
u shpreh Kuçi.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por, sipas tij, janë disa rajone ku kërkohet një angazhim më i madh i autoriteteve të rendit.

“Ka rajone në Kosovë, në të cilat duhet të përqendrohemi më shumë për ta ndryshuar gjendjen. Dhe, unë besoj fort se ndryshimet pozitive do të ndodhin në të gjitha pjesët e Kosovës”
, tha Rexhepi.

Por, ekspertët e çështjeve të sigurisë dhe atyre ushtarake në këtë konferencë deklaruan se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por ajo shpejt mund të përkeqësohet.

Eksperti Ramadan Qehaja tha se situata mund të përkeqësohet nga mosshtrirja e autoritetit në gjithë vendin.

“Në bazë të gjetjeve dhe analizave, sigurinë e tërërsishme në Republikën e Kosovës e vlerësojmë si mjaft të brishtë me tendencë të përkeqësimit të saj”.

“Kjo, para së gjithash, nga shkaku se si shtet i ri nuk arritëm të kontrollojmë një pjesë të konsiderueshme të vendit tonë, fjala është për pjesën në veri të lumit Ibër, ku situata e sigurisë çdo ditë po vjen duke u përkeqësuar”, vlerësoi Qehaja.

Sipas Qehajës, në përkeqësimin e situatës së sigurisë, është duke kontribuar edhe gjendja e rëndë socio-ekonomike.

“Në brishtësinë e situatës së sigurisë është duke ndikuar drejtpërdrejt moszhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe krimi i organizuar, përkatësisht mosfillimi i luftimit konkret të këtyre dukurive e dobësive, të cilat po na përcjellin. Për këtë dhe shkaqet e tjera, pakënaqësia në popullatë sa vjen e shtohet”
, nënvizoi Qehaja.

Mirëpo, me këto konstatime nuk u pajtua ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, meqë, sipas tij, nga koordinimi i Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe Policinë e EULEX-it, janë duke u vërejtur rezultatet e para në drejtim të kthimit të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

“Jeni dëshmitarë se si rezultat i partneriteti të ndërtuar, ne kemi edhe frytet e para të sundimit të ligjit edhe në atë pjesë të vendit. Më në fund edhe kriminelët, të cilët kanë vepruar në veri, do të goditen nga fuqia e ligjit, pasi që ne do t’i sjellim para organeve të drejtësisë të gjithë, një nga një”,
deklaroi Rexhepi.

Në këtë debat u diskutua edhe për zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Zëvendëskryeministri Kuçi u shpreh se derisa Kosova nuk anëtarësohet në NATO, nuk mund të këtë dhe largim të trupave të KFOR-it nga vendi.

“Largimi i trupave të KFOR-it nuk duhet të ndodhë në tërësi, për aq sa Kosova nuk hapëron në rrugëtimin e NATO-s, në veçanti në iniciativat e partneritetit për paqe, pastaj edhe anëtarësimin në NATO”
, theksoi Kuçi.

Përfaqësuesit e KFOR-it në veri të Kosovës kanë rritur masat e sigurisë, si reagim ndaj incidenteve të dhunshme që kanë përfshirë këtë pjesë të vendit.

Ndërkaq, ekspertët e sigurisë kritikuan institucionet e Kosovës duke thënë se roli i institucioneve të vendit në konsolidimin e sigurisë është shumë i ulët.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG