Zyrtarë dhe shtetarë nga mbarë bota përshëndetën ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe disidentit kinez Liu Xhiabao.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili e fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009, e përgëzoi Liun dhe i bëri thirrje Kinës që t’a lirojë.
Ish presidenti i Çekisë, Vaclav Havel, e mirëpriti ndarjen e çmimit, duke thënë se ai personalisht e kishte mbështetur vendimin.
Presidenti i Tajvanit, Ma Jing-zhu gjithashtu i uroi Liut çmimin duke e quajtur “historik”.
Kina tha se Komiteti norvegjez i Nobelit e kishte “cënuar” integritetin e çmimit Nobel për Paqe, dhe paralajmëroi se marrëdhëniet kino-norvegjeze mund të pësojnë nga vendimi i sotëm.