Ndërlidhjet

SHBA-të pjesë e dialogut Kosovë-Serbi


Filip Gordon
Filip Gordon

Dialogu do të jetë mes të barabartëve dhe çështja e statusit apo ndarjes nuk është në tryezë, tha diplomati amerikan Filip Gordon.



Shtetet e Bashkuara i shohin bisedimet mes Kosovës e Serbisë si mundësi për të zgjidhur një mori çështjesh praktike që ekzistojnë mes dy vendeve fqinje.

“Qëndrimi ynë është se këto do të jenë bisedime mes të barabartëve dhe një mundësi për të dyja palët që të ecin përpara, duke zgjidhur çështjet e nevojshme që lejojnë palët të lëvizin drejt integrimit në Evropë”, tha në një takim me media ndihmëssekretari për çështjet evropiane në Departamentin e Shtetit, Filip Gordon.

Mundësia e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, sipas diplomatit amerikan, e bën të vështirë për Prishtinën që të fillojë bisedimet në kohë fushate zgjedhore.

“Nuk ka datë konkrete për nisjen e bisedimeve, por është e rëndësishme që bisedimet të fillojnë dhe ne presim që të jemi plotësisht të përfshirë në këtë proces”
, tha Gordon.

Sipas diplomatit amerikan ende nuk janë përcaktuar modalitetet e mbajtjes së dialogut, ndonëse bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara lehtësues i këtij dialogu do të jetë Bashkimi Evropian.

“Rezoluta e Kombeve të Bashkuara i bën thirrje BE-së të lehtësojë dialogun dhe kështu do të jetë edhe procesi. Por, kush çfarë roli do të ketë konkretisht, mbetet për t’u vendosur. Por, e përsëris, ne presim të jemi të përfshirë në mënyrë aktive. Kemi angazhime madhore në rajon. Kemi të njëjtat angazhime si Bashkimi Evropian, kështu që do të jemi atje e do të mbetemi të përfshirë”
, u shpreh Gordon.

Shtetet e Bashkuara, edhe në prag të vizitës së shefes së diplomacisë amerikane në Ballkan, përsëritën përmes Filip Gordonit se çështja e kufijve dhe sovranitetit të Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të jetë pjesë e dialogut të shumëpërfolur.

Qëndrimi ynë është i qartë. Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës duhet të ruhen dhe se çështja e statusit nuk është mbi tryezë, ashtu siç nuk janë në tavolinën e diskutimeve as nocionet për ndarjen. Sipas nesh, nëse do të shkohet në këtë drejtim do të jetë katastrofë për rajonin”.

“Nëse i hapet dera mundësisë së diskutimit të ndryshimit të kufijve, nuk do të ndalet aty dhe do të ngrejë një numër pyetjesh në të gjithë rajonin. Për këto arsye ne duhet të jemi plotësisht të qartë në këtë çështje”
, theksoi ndihmësekretari amerikan i Shtetit.

Sipas tij, të gjitha këto qëndrime zonja Klinton do t’i përsërisë gjatë qëndrimit në Prishtinë më 13 tetor, ku do të takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqin, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.

Klinton do të vizitojë dhe Graçanicën ku do të takohet me drejtuesit e komunës atje. Në Prishtinë ajo do të bisedojë me përfaqësuese të organizatave të grave dhe të shoqërisë civile nga të gjitha grupet etnike.

Pas vizitave në Sarajevë, Beograd e Prishtinë, Hillari Klinton do të qëndrojë në Bruksel. Nga drejtuesit e Bashkimit Evropian ajo do të kërkojë që të bëhet e qartë e ardhmja evropiane e Kosovës ashtu si për të gjitha vendet e rajonit, si mundësi për të çuar përpara reformat.

Kjo është vizita e parë e Hillari Klintonit në Prishtinë që nga ardhja në krye të Departamentit të Shtetit.
XS
SM
MD
LG