Ndërlidhjet

Shqiptarë e serbë të ndarë rreth KFOR-it


Mitrovicë
Mitrovicë
Shqiptarët në jug të Mitrovicës i gëzohen shtimit të masave të sigurisë nga NATO-ja dhe EULEX-i. Por, serbët në veri e cilësojnë këtë si një fushatë kundër tyre.


Disa u gëzohen, e disa i shohin me mëri ushtarët e KFOR-it dhe policët e EULEX-it, të cilët këtë javë shtuan praninë e tyre në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthimet e shpeshta që lanë edhe të vrarë dhe të plagosur, të shtënat me armë dhe vënia e eksplozivit në vende të ndryshme, kanë bërë që KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës të hartojnë një plan për të vënë rend dhe ligj në veri.

Adem Mripa, përfaqësues shqiptar i lagjes së përzier etnikisht të Boshnjakëve, i mirëpret këto masa. Ai thotë se në lagjen, e cila shpeshherë është bërë cak i shpërthimeve dhe incidenteve të ndryshme ndëretnike, po ndjehet një siguri më e madhe.

“Është një siguri pak më e madhe. Strukturat paralele kanë kuptuar se situata është pak më serioze. Nuk është siç ka qenë anarki, në të cilën lirisht kanë shëtitur me armë, ku në çdo kohë kanë krisur me armë, kështu që tashmë po vërehet era e frikës tek ata kriminelë, ata ekstremistë, të cilët e kanë tensionuar situatën”
, thotë Mripa.

KFOR-i ka ngritur pika kontrolli në shumë pjesë të veriut, me qëllim që të kapë armët pa leje. Ndërsa, EULEX-i arrestoi dy serbë të dyshuar për krim të organizuar, duke zbatuar kështu zotimin se do të kapë të paktën 25 persona, që dyshohet se kanë kryer krime të natyrave të ndryshme në veri.

Të gjitha këto veprime, për një nga përfaqësuesit e serbëve të Mitrovicës, Marko Jakshiqin, kanë prapavijë politike. Ai thotë se ato janë të drejtuara kundër serbëve.

“Në gjithë Kosovën ndodhin raste të njëjta, por askush nuk po vendos pika kontrolli në çdo 50 metra. E, pse është veriu tash pjesë speciale? Unë mendoj se kjo ndodh vetëm për arsye se këtu serbët përbëjnë shumicën”,
shprehet Jakshiq.

Por, kështu nuk mendon nënkryetari i Mitrovicës, Riza Haziri. Ai thotë se jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet tjera i gëzohen shtimit të sigurisë në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe.

“Situata është e patolerueshme, e rrezikshme, jo vetëm për qytetarët e komunitetit joserb, por edhe për qytetarët serbë; për të gjithë ata që treguan një vullnet të mirë për normalizim të gjendjes. Herë pas here, siç e dimë, ata u janë nënshtruar presioneve të ndryshme nga njerëzit, që përbëjnë strukturat ilegale, siç i quajmë ndryshe edhe struktura paralele”
, thotë Haziri.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Byler ditë më parë ka takuar zyrtarë të Qeverisë serbe për t’ua bërë të ditur se masat e ndërmarra janë në të mirë të sigurisë së të gjithë qytetarëve. Byhler ka siguruar se nuk ka ndonjë agjendë të fshehtë.

Por, Marko Jakshiq nuk beson në qëllimet e autoriteteve të sigurisë.

“Një fushatë e tillë kundër serbëve këtu në veri të Kosovës në të vërtetë është e pazakontë dhe për mua e paqartë”,
shton Jakshiq.

Por, Adem Mripa, i cili pos që ka parë të shpërngulen nga lagjja e tij për në jug shumë bashkëkombës, ka qenë dëshmitar i incidenteve të dhunshme ndëretnike në lagjen e tij, thotë se masat e sigurisë do të duhej të merreshin jo tani, po që para 11 vjetësh.

“Këto kanë qenë dhe janë të mirëpritura qe 11 vjet. Këtu ka mbretëruar një kaos, ku nuk ka ekzistuar as ligji as pushteti. Pushtetin këtu e kanë pasur mafiozët, kontrabandistët, strukturat paralele dhe MUP-i i Serbisë. Ata kanë diktuar politikën në pjesën veriore të Mitrovicës”.

“Këto janë të mirëseardhura për popullatën shqiptare dhe një pjesë bukur të madhe dhe të serbëve - jam i bindur, sepse edhe ata janë të ngopur me një politikë të tillë, në të cilën nuk ka pasur kurrfarë rregulli
”, thekson Mripa.

Udhëheqësit e komunës së Mitrovicës shpresojnë se me vendosjen e rendit dhe të ligjit, i hapet rruga edhe integrimit të qytetit.

Zyra e Koordinatorit për Strategjinë për Veriun, në një raport të saj, ditë më parë fajësoi administratën e UNMIK-ut se po e pengon integrimin e qytetit, të cilin ura e Ibrit e ndan në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun me serbë.
XS
SM
MD
LG