Ndërlidhjet

Rusët s'pranojnë të luajnë në Kosovë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Skuadra ruse e hendbollit të femrave “Kuban Krasnodar” refuzon të luajë me ekipin “Prishtina”, në kuadër të Kupave Evropiane të Hendbollit. Nebih Zariqi, kryetar i klubit “Prishtina”, thotë se është përzier kryekëput politika.



Ndeshja e paraparë në kuadër të kupave të Federatës Evropiane të Hendbollit, në konkurrencën e femrave, e cila më 16 tetor do të duhej të zhvillohej në Prishtinë, ndërmjet skuadrës hendbollistike të femrave “Prishtina” nga Kosova dhe skuadrës “Kuban Krasnodar” nga Rusia, vështirë se do të realizohet, vlerësojnë përfaqësuesit e hendbollit kosovar.

Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, thotë se Federata Ruse e Hendbollit ka kërkuar që kjo ndeshje të mos zhvillohet në Kosovë, por në terren neutral.

Por, me kërkesën e Klubit hendbollistik “Prishtina” dhe Federatës Kosovare të Hendbollit, në kalendarin e Federatës Evropiane të Hendbollit figuron se vendtakimi do të jetë në Prishtinë.

“Kërkesën për zhvillim të takimit në terren neutral e ka bërë skuadra ruse dhe kryekëput për shkaqe politike. Kanë bërë kërkesë në Federatën Evropiane, ku rusët propozuan Zagrebin, si solucion që për këto dy skuadra të jetë më neutral”.

“Ne nuk lëshuam pe, as klubi, e as federata. Besoj që kjo ndeshje, sipas programit, i cili është edhe në faqen zyrtare të Federatës Evropiane, duhet të zhvillohet më 16 tetor, në Prishtinë, me fillim në orën 17:00”
, thotë Gjinovci.

Edhe Nebih Zariqi, kryetar i klubit hendbollistik “Prishtina”, e cila duhet të jetë nikoqire e skuadrës ruse “Kuban Krasnodar”, thekson se paralajmërimet e kësaj skuadre që të mos e zhvillojë ndeshjen në Prishtinë, janë për shkaqe politike.

Zariqi vlerëson se në këtë rast politika po e shantazhon sportin.

“Në bazë të bisedave që kemi pasur me ta, aty del se krejt politika është e përzier në këtë çështje. Ndërsa, ne u kemi thënë që ta lëmë politikën dhe sporti le t’i paraprijë politikës, me disa veprime pozitive të integrimeve të njerëzve, të sportistëve dhe të popujve”.

“Por, si duket, tek ata, prioritare është politika dhe, siç shihet, dominon edhe qëndrimi i tyre pro-serb”
, shprehet Zariqi.

Ndryshe, në faqen e internetit të Federatës Evropiane të Hendbollit, në kalendarin e ndeshjeve, Federata Ruse e Hendbollit nuk e ka publikuar orarin e ndeshjes së revanshit në Rusi, ndërmjet hendbollisteve të klubit “Prishtina” dhe të klubit “Kuban Krasnodar”.

Lidhur me këtë, Gjinovci thotë se përfaqësuesit e Federatës Ruse të Hendbollit i kanë shprehur, siç thotë ai, kinse arsyet e tyre.

“Sipas anëtarit të Bordit të Federatës Evropiane të Hendbollit, njëherazi edhe nënkryetar i Federatës Ruse (të hendbollit) dhe anëtar i Parlamentit të Rusisë, Andrej Llavrov, nuk ka gjasa që ndeshja të zhvillohet në Rusi, do të thotë që skuadra nga Prishtina të hyjë në Rusi, me pasaporta nga Kosova, sepse Rusia nuk e njeh Kosovën. Por, nuk ka gjasa që edhe skuadra ruse të vijë ta zhvillojë ndeshjen në Prishtinë, sepse, sipas tij, mungon siguria”, sqaron Gjinovci.

Gjinovci shton se në Kosovë nuk mungon siguria për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Ngjashëm pohon edhe Nebih Zariqi.

“Ajo është një gënjeshtër e tyre, një pretekst i tyre, të cilin edhe atyre ua kemi thënë, sepse nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Inskenonin se kinse ka pasur të vrarë gjë që nuk ishte e vërtetë. Në praninë e tyre, para sysh ua kemi thënë se kjo nuk është e vërtetë”.

“Por, verbërisht, ata janë të tillë dhe kanë qëndrimet e tyre. Madje ne, qipriotëve që kanë qenë këtu, u kemi krijuar aso kushtesh, sa që janë ndarë të fascinuar. Edhe Qiproja neve nuk na ka pranuar, por mikpritje ne kemi pasur. Kanë pasur në ekipin e tyre edhe një serbe, e cila është habitur nga mikpritja”,
pohon Zariqi.

Sido që të jetë, sipas Gjinovcit, mungesa eventuale e skuadrës së hendbollit “Kuban Krasnodar” në takimin me klubin Prishtina”, nuk do ta dëmtojë klubin kosovar.

“Nëse nuk vjen këtu, ndeshja automatikisht humbet nga skuadra ruse dhe e fiton skuadra prishtinase. Ndeshja revanshe pastaj nuk zhvillohet, sepse rregullat janë decidive. Skuadra ruse dënohet me rreth 15 mijë euro gjobë dhe dy vite mospjesëmarrje në arenën ndërkombëtare. Ndërsa, skuadra e Prishtinës kualifikohet për raundin e tretë, të kupave të Federatës Evropiane”,
përfundon Gjinovci.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG