Ndërlidhjet

Sindikatat tradhtojnë punëtorët për politikën


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sindikatat merren shumë pak me mbrojtjen e punëtorëve kosovarë, ngaqë janë të ndikuara nga pushteti dhe partitë politike. Kjo gjendje pranohet nga vetë sindikatat, por mohohet nga zyrtarë qeveritarë.


Sindikatat në Kosovë mbrojnë interesin e punëtorëve apo të pushtetit? Një dilemë e tillë shtrohet nga punonjësit në Kosovë, të cilët thonë se me gjithë faktin se pothuaj në secilin institucion publik ekzistojnë sindikatat, ato nuk mbrojnë sa duhet të drejtat e punëtorëve.

Një gjendje e tillë pranohet edhe nga vetë përfaqësuesit e dy federatave sindikale që ekzistojnë në Kosovë.

Ndue Kalaj nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thekson se kjo sindikatë ende nuk ka arritur të largohet nga ndikimi i pushtetit dhe partive politike.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është një konfederatë sindikale e themeluar në vitet ‘90, e cila vazhdon të funksionojë. Prapë se prapë, sindikata nuk ka mundur ta krijojë atë parimin e parë, që të jetë e pavarur nga pushteti dhe partitë politike”.

“Ndoshta, jo që nuk dëshiron, por për shkak se ndikimet politike janë shumë mëdha dhe shoqëria në Kosovë është e politizuar, për shkak të rrethanave
”, thotë Kalaj.

Ndërkaq, Ali Dragusha, zëvendëskryetar në Konfederatën e Sindikatave të Lira të Kosovës( KSLK), thotë se nuk mungojnë përpjekjet e Qeverisë dhe të partive politike që të kenë ndikim edhe në rrafshin sindikal.

Në rastin konkret, te ne në Kosovë, politika është duke e shfrytëzuar mirë, të them kushtimisht, edhe gjendjen e sindikatave, do të thotë strukturën organizative të lëvizjes sindikale në përgjithësi, që është një brishtësi në aspektin organizativ dhe funksional. Dhe, në këtë formë, ajo bën përpjekje që të ketë ndikim edhe në aktivistët dhe liderët sindikalë”, shprehet Dragusha.

Në Kosovë, kryesisht punëtorët e ndërmarrjeve publike kanë sindikatat e tyre, kurse ndërmarrjet private, ku edhe shkelen më së shumti të drejtat e punëtorëve, nuk kanë të formuar sindikata.

Por, Ndue Kalaj, nga BSPK-ja, pohon se në sektorin publik, një sindikatë mund të funksionojë vetëm nëse, siç thotë ai, është në koalicion më pushtetin apo partitë politike.

“Një sindikatë mund të veprojë në ndërmarrjet shtetërore - pasi dihet që me konventat ndërkombëtare është e lejuar formalisht - vetëm në qoftë se është në koalicion me ta, përkatësisht nëse nuk i kundërshton”.

“Përkundrazi, një sindikalist apo një sindikatë e zgjedhur në institucionet shtetërore është shumë vështirë të funksionojë. Dhe, ai sindikalist sado i ndershëm, sado i pakorruptuar që është, s’ka si të mos përballet me çfarëdo lloj sfidash dhe lloj-lloj shantazhesh, në qoftë se i kundërshton ato vendime”,
thekson Kalaj.

Se sindikatat janë të politizuara, thotë edhe sociologu Fadil Maloku. Qëllim i gjithë kësaj, sipas tij, është sepse Qeveria dëshiron që pakënaqësitë eventuale të punëtorëve t’i mbajë nën kontroll përmes sindikatave.

“Ky është një lajm i keq për sindikatat, pasi ne e dimë që sindikatat si mekanizma të fuqishëm që mbrojnë të drejtën e punëtorëve, në shtetet perëndimore janë shumë të afta t’i mbijetojnë ato krizat ekonomike- sociale”.

“Ndërsa në Kosovë ndodh një paradoks i llojit të vetë, të cilin, për mendimin tim, nuk mund ta hasësh askund - sindikatat janë në anën e Qeverisë, e do të duhej të ishte e kundërta”,
konstaton Maloku.

Por, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, mohon një konstatim të tillë:

“Absolutisht nuk qëndron ky konstatim dhe kushdo që deklaron një gjë të tillë, për të qenë i besueshëm, është dashur të ofrojë fakte”
, thotë Krasniqi.

Ndryshe, në sektorin publik llogaritet se janë të punësuar rreth 73 mijë persona, ndërsa rreth 80 mijë persona konsiderohet se janë të punësuar në sektorin privat, e që nuk janë të paraqitur.

Punëtorët në sektorin privat nuk kanë të formuar sindikatat, për arsye, siç thonë përfaqësues të sindikatave, udhëheqësit e kompanive, organizimin sindikal e shohin si rival, e jo si partner bashkëpunimi.
XS
SM
MD
LG