Ndërlidhjet

Sejdiu nuk mund të largohet, duhet të shkarkohet


Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu

Dorëheqja e presidentit Fatmir Sejdiu dhe marrja e postit nga ana e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, si ushtrues detyre i presidentit, nuk i kanë plotësuar të gjitha procedurat ligjore kushtetuese, thonë disa nga analistët dhe partitë politike.

Analisti Ramush Tahiri thotë se Kushtetuta parasheh që lirimi nga detyra e presidentit të kalojë përmes Parlamentit, kurse më pas të prezantohet një kandidat i ri për president.

Vetëm pas dështimit të kandidatit të ri në tre rrathë votimi në Kuvend për t’u zgjedhur president i Kosovës, do të konstatohej kriza dhe Jakup Krasniqi, si kryetar i Kuvendit, do t’i merrte përkohësisht detyrat e presidentit, thotë Tahiri.

Madje, ai i konteston edhe kompetencat e Krasniqit për të bërë konsultime për zgjedhjet e parakohshme, siç po vepron ai aktualisht.

“Ushtruesi i detyrës nuk mund t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme pa u krijuar kushtet për zgjedhjet e parakohshme. Kushtet për zgjedhje të parakohshme nuk janë krijuar nga fakti se, momentalisht, partitë politike nuk e kanë kandidatin. Kushtetuta nuk ka procedurë që nëse nuk ka kandidatë për president, të hyhet në zgjedhje”.

“Jakup Krasniqi nuk e ka mandatin që të bisedojë për zgjedhje të parakohshme, por t’i krijojë parakushtet për zgjedhjen e kandidatit për president”,
thekson Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Analisti Tahiri thotë se Kushtetuta nuk e parasheh dorëheqjen, por shkarkimin e presidentit në Parlament. Andaj, sipas tij, as Sejdiu dhe as Krasniqi nuk i kanë respektuar procedurat ligjore-kushtetuese me rastin e lirimit, përkatësisht marrjes së detyrës së postit të presidentit.

“Nuk parashihet dorëheqja, por parashihet shkarkimi për shkelje serioze. Largimi dhe pranimi bëhen në Kuvend. Nuk ka institucion tjetër ku bëhet pranim-ngarkimi i detyrës ose lirimi nga detyra”.

“As Fatmir Sejdiu dhe as Jakup Krasniqi nuk e kanë kryer procedurën ligjore-kushtetuese për largim nga detyra dhe pranim të detyrës, sepse kjo është dashur të bëhet para Parlamentit të Kosovës me votim formal”,
thotë Tahiri.

Ndërsa në Lidhjen Demokratike të Kosovës, zyrtarë të saj nuk kishin një përgjigje në lidhje me këto dyshime, partia opozitare - Lidhja Demokratike e Dardanisë - nuk e përjashton si mundësi që çështjen e dorëheqjes së Sejdiut dhe marrjes nën ushtrim të detyrës së postit të presidentit nga ana e Krasniqit, ta ngrejë për debat në Parlament.

Deputetja e LDD-së, Besa Gaxherri, thotë se Kushtetuta e parasheh dorëheqjen nga posti i presidentit në raste të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, por jo edhe në rast të shkeljeve kushtetuese.

“Ende nuk është përmbyllur çështja e presidentit të vendit. Ne nuk kemi dorëheqje nga një president që është i sëmurë, por kemi dorëheqjen e një presidenti që e ka shkelur Kushtetutën. Në Kushtetutë theksohet shumë mirë procedura për shkarkimin e presidentit dhe kush duhet ta bëjë atë”.

“Kini parasysh që, përveç shkeljes që është bërë nga presidenti i vendit, tani po bën shkelje edhe Kuvendi i Kosovës”,
thotë Gaxherri.

Deputetja Gaxherri thotë se do t’i kërkojë Parlamentit të mos vazhdojë me shkeljen e Kushtetutës, por ta shqyrtojë këtë çështje, në mënyrë që Sejdiu të ftohet para Parlamentit për t’i respektuar procedurat e shkarkimit.

Sidoqoftë, me gjithë këto dyshime, Krasniqi ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkaq, nuk përjashtohet si mundësi që në rast të konstatimit të shkeljeve kushtetuese, të ndërhyjë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë.

Lexoni edhe këtë:
Vlerësohet dorëheqja e Sejdiut
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG