Ndërlidhjet

Maqedoni: Decentralizimi i papërfunduar


Pamje në Kumanovë

Pamje në Kumanovë

Decentralizimi në Maqedoni nuk arrin të realizohet me sukses për shkak se pushteti qendror nuk heq dorë nga influenca, ankohen kryetarët e komunave.

Arka e zbrazët, zvarritja e bartjes së kompetencave nga pushteti qendror në atë vendor, si dhe mungesa e planit urbanistik, janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohen kryetarët e komunave.

Basri Bajrami, prefekt i komunës së Haraçinës së Shkupit, njëherësh anëtar i Këshillit të Bashkësive të Vetëqeverisjes Lokale, thotë se nuk mund të flitet për proces të suksesshëm të decentralizimit, kur mbi 15 komuna funksionojnë me xhiro-llogari të bllokuar, ndërsa një numër i madh i tyre, për shkak të borxheve, nuk arrijnë të hyjnë në fazën e dytë të decentralizimit.

“Nëse flitet për proces të decentralizimit, me plot përgjegjësi them se nuk ka as D nga decentralizimi. Centralizimi është më i madh edhe nga koha e ish-Jugosllavisë”.

“Nëse duam që komunat të funksionojnë pak më mirë, atëherë duhet që TVSH-ja të rritet nga 3 në 6 %, gjë që e kemi kërkuar edhe nga Ministria e Financave, por edhe kryeministri i vendit”,
thotë Bajrami.

Edhe kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski, deklaron se funksionimi i suksesshëm i komunave kryesisht varet nga mjetet që do t`i marrin nga pushteti qendror.

“Komunat, edhe pas 5 vjetësh të funksionimit, nuk arrijnë të pavarësohen financiarisht nga pushteti qendror. Krahasuar me vendet e rajonit, Maqedonia është në një pozitë më të ulët sa i përket decentralizimit financiar - gjë që e bën të pasuksesshëm këtë proces”, thekson Damjanovski.

Mungesa e planit urbanistik-detal, kryetari i komunës së Haraçinës, Basri Bajrami, thotë se paraqet problem në grumbullimin e taksave.

“Pikërisht për këtë problem, me të cilin ballafaqohen komunat - pra, mungesa e planit urbanistik-detal dhe atij të përgjithshëm - Banka Botërore për Maqedoninë ka ndarë 14 milionë euro. Unë nuk e di se ku kanë shkuar ata 14 milionë euro...”, thotë Bajrami.

Për kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko, sfidë paraqet urbanizimi i Strugës si qytet turistik, gjë që, siç nënvizon ai, varet nga vullneti i Ministrisë së Transportit.

“Urbanizimi me Ligjin për decentralizim ka kaluar në pushtetin vendor. Për të miratuar një plan te përgjithshëm apo detal-urbanistik për qytetin e Strugës, kërkohen shumë pëlqime nga shumë ministri, veçanërisht nga ajo e Transportit dhe Lidhjeve”.

“Pikërisht këto dikastere ministrore na bëjnë pengesa hap pas hapi dhe gjithçka varet nga pushteti qendror”,
thekson Merko.

Sipas Merkos, pengesë për zhvillimin e komunës së tij paraqet edhe mosbartja e kompetencave nga pushteti qendror për resurset me të cilat disponon kjo komunë.

“Resurset me të cilat disponon Struga, siç janë: liqeni, plazhet, pyjet, guroret, që janë pjesë e komunës dhe pjesë e qytetarëve të Strugës, ende komandohen nga pushteti qendror dhe mjetet nga këto resurse shkojnë në arkën shtetërore. Kjo gjithsesi krijon vështirësi për zhvillimin dhe funksionimin e suksesshëm të komunës së Strugës si pushtet vendor”, shprehet Merko.

Shteti duhet të gjejë mekanizëm për të debllokuar llogarinë e komunave me borxhe, thotë kryetari i komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski.

“Deri në fund të 2010-ës, duhet të gjendet një modalitet që shteti të shlyejë një pjesë të borxheve të komunave me llogari të bllokuar, sepse kjo drejtpërdrejt ndikon funksionimin e komunave”, thekson Talevski.
XS
SM
MD
LG