Ndërlidhjet

logo-print

NYT: Ballkani, e kaluara dhe e ardhmja


Hillary Clinton

Hillary Clinton

"New York Times"

Bosnja, Serbia dhe Kosova kanë ecur nëpër një rrugë të gjatë që nga vitet e 90-ta. Serbia nuk është më një agresore e rrezikshme, Bosnja nuk është më një fushë vrasjesh dhe Kosova, dikur e terrorizuar nga Serbia, është shtet i pavarur.

Uashingtoni dhe posaçërisht ish-presidenti Bill Clinton gëzojnë merita të mëdha për këtë gjë.

Gjatë vizitës së kësaj jave të sekretares amerikane e shtetit, Hillary Clinton, në të tria këto shtete, ajo duhet të kërkojë prej tyre vazhdimin e reformave dhe diplomacisë, që janë thelbësore për tranzicionin e tyre drejt një paqeje demokratike.

Ka ende shumë punë për të bërë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, është i etshëm t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe është angazhuar në zbutjen e tensioneve rajonale.

Por, Beogradi vazhdon ta refuzojë pavarësinë e Kosovës, ndonëse ka pranuar të jetë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Zonja Clinton duhet t’u bëjë trysni të dyja palëve të angazhohen seriozisht.

Shumica shqiptare në Kosovë, të drejtat e së cilës Uashingtoni i ka mbrojtur duke shkuar në luftë, duhet të bëjë një punë më të mirë në mbrojtjen e pakicës serbe.

Institucionet komplekse politike të Bosnjës, të vijëzuara me Marrëveshjen e Dejtonit, janë duke çaluar drejt progresit. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, dy mini-shtetet rivale, njëri me shumicë serbe dhe tjetri me shumicë kroato-myslimane, me një presidencë trepalëshe, mezi arrijnë të marrin vendime mbi çështjet thelbësore.

Në zgjedhjet kombëtare të këtij muaji, myslimanët dhe kroatët zgjodhën përfaqësuesit me mendje më të hapur dhe më të moderuar. Serbët e Bosnjës zgjodhën udhëheqësit, të cilët angazhohen për shkëputje.

Zonja Clinton duhet t’ua bëjë të qartë serbëve të Bosnjës se ndarja nënkupton izolim, ndërkaq bashkëpunimi do të hapte mundësi për t’iu bashkuar ekonomisë evropiane.

Ajo gjithashtu do të duhej të nxisë rastin e reformimit të aranzhimeve nga Dejtoni, për të krijuar një shtet të unifikuar dhe funksional.

Mundësia për anëtarësim në Bashkimin Evropian shihet si stimulimi më i mirë për të tria këto shtete për të ecur përpara, por recesioni dhe nacionalizimi në rritje në Gjermani e kanë dobësuar autoritetin e institucioneve të bllokut evropian.

Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të angazhuara vendosmërisht për t’i zgjidhur këto çështje. (a.v.)
XS
SM
MD
LG