Ndërlidhjet

Kosova, treg i drogës?!


Bimë narkotike
Bimë narkotike
Ndonëse nuk ka ndonjë shifër të saktë të keqpërdoruesve të drogave në Kosovë, parametrat që ofrojnë zyrtarët e policisë dhe qendrat që merren me trajtimin e narkomanëve, tregojnë se ky numër sillet deri në 6 mijë persona.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se Kosova hyn në radhën e vendeve, ku konsumohen, siç i quan ai, drogat e lehta.

“Sa i përket numrit të përgjithshëm të personave, të cilët llogariten si konsumues të substancave narkotike, sipas vlerësimeve tona, ai varion nga 4 mijë deri në 6 mijë persona, duke përfshirë numrin e atyre që llogariten si konsumues të drogave të lehta. Kosova hyn në radhën e vendeve ku konsumohen kryesisht drogat e lehta”, thotë Sadriu.

Vlerësim të përafërt të shifrave të keqpërdoruesve të drogave në Kosovë jep edhe Qendra mediko-psikoterapeutike “Labirint” në Prishtinë, e cila trajton personat e varur nga droga.

Por, drejtuesi i kësaj qendre, defektologu Safet Blakaj, thotë se shumica e narkomanëve përdorin të ashtuquajturat ‘droga të rënda’.

“Pjesa më e madhe, diku rreth 93 për qind e tyre, do të thotë mbi 4 mijë (persona) flasin për varshmëri nga heroina dhe një pjesë e vogël nga kokaina. Këto janë ato dy droga, të cilat shkaktojnë varshmëri më shpejt dhe më të thellë”, thotë Blakaj.

Ai tregon përllogaritjen se sa heroinë mund të konsumojë brenda një dite një person i varur nga kjo drogë.

“Përqindja ose sasia mesatare e përdorimit të heroinës te ne është pak më tepër se 2 gramë. Mirëpo, duke llogaritur edhe pauzën që kanë bërë gjatë përdorimit - në mënyrë që të vijmë deri te një vlerësim sa më i saktë - le të themi se është vetëm 1 gram. Jemi të sigurt se kjo shifër metodologjikisht qëndron, në kuptimin e shpenzimit të drogës në Kosovë”, thotë Blakaj.

Bazuar në këtë përllogaritje del se brenda një muaji në Kosovë konsumohen rreth 90 kg drogë heroinë, ndërkaq brenda një viti rreth 1 mijë e 80 kg të këtij tipi të drogës. Sipas zotit Blakaj, në bazë të disa informacioneve, çmimi i 1 kilogrami heroinë sillet rreth 10 mijë euro.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sadriu, nuk e pohon e as nuk e mohon këtë përllogaritje, por thotë se organet e rendit po bëjnë çmos për të luftuar trafikimin e drogave.

Gjatë këtij tetëmujori, ne kemi pasur të iniciuara gjithsej 214 raste - persona për të cilët ka ekzistuar dyshimi i bazuar se ata merren me trafikimin e substancave narkotike. Në të gjitha këto raste janë arrestuar 317 persona”.

“Kanë qenë 13 grupe, të cilat kanë funksionuar si të organizuara. Pra, kanë qenë grupe të personave që janë marrë me trafikim të substancave narkotike”,
thekson Sadriu.

Sipas tij, vetëm gjatë tetë muajve të këtij viti janë konfiskuar 19 kg heroinë, 193 kg marihuanë dhe rreth 10 mijë bimë të llojit kanabis. Por, defektologu Blakaj thotë se konfiskimet e heroinës nga Policia e Kosovës, nuk janë barometër që shpjegon situatën.

“Ne jemi të sigurt, jo vetëm tash, por edhe më herët, se Kosova po shndërrohet në tregun e vetvetes. Prandaj, shifrat e përmendura nga Policia e Kosovës rreth sekuestrimit, në këtë rast të heroinës, nuk korrespondojnë aspak me sasinë e përgjithshme që konsumohet në Kosovë. Jemi të sigurt se në Kosovë është krijuar një treg i mjaftueshëm ndoshta për një degë të narkokartelës”, shprehet Blakaj.

Sido që të jetë, në qershorin e vitit të kaluar, në Kosovë ka filluar të zbatohet strategjia kombëtare për luftë kundër drogave. Në realizimin e kësaj strategjie janë kyçur shumica e ministrive dhe institucioneve të Kosovës, ndërkohë që policia i ka shtuar kapacitetet njerëzore dhe teknike të drejtorisë përgjegjëse për luftë kundër trafikimit të drogave.

Lexoni edhe këto:
Kosova (nuk) zvogëlon dëmet nga drogat
Sa po luftohet krimi i organizuar?
XS
SM
MD
LG