Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi shpërndahet me miratimin e buxhetit


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Subjektet politike në Kosovë janë në proces të harmonizimit të datës për zgjedhjet e parakohshme, përderisa Kuvendi nxiton që para se të shpërndahet, të miratojë edhe disa ligje në procedurë, sidomos Ligjin për buxhetin e vitit 2011, pa të cilin konsiderohet se do të krijohej një boshllëk i madh në vend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, tha se qëndrimet për datën janë përafruar dhe tani, sipas tij, ka mbetur dilemë se a do të caktohet kjo datë për 6 apo 13 shkurt.

Ai tha se rrethanat nuk janë më të mirat për të shkuar në zgjedhje, por nuk ka zgjidhje tjetër. Buja theksoi rëndësinë e miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm para se të shpërndahet përbërja aktuale e Kuvendit.

“Mendojmë që viti i ri do t’i përmbyllë në njëfarë forme. Prioritare për Kuvendin janë këto projektligje që na kanë mbetur në lexim të dytë. Natyrisht, çështja e buxhetit është prioritare për të mos krijuar defekte të kësaj natyre në vitin që do të vijë”, deklaroi Buja për Radion Evropa e Lirë.

Miratimi i Ligjit për buxhetin shihet si shumë i rëndësishëm edhe nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi.

Ai tha se me miratimin e këtij ligji, Kuvendi duhet të shpërndahet në mënyrë që deputetët të kenë kohë për rikandidim.

“Konsideroj se mjafton një konsensus në lidhje me datën. Pastaj, procedurat janë të qarta... Parlamenti duhet të shpërndahet 45 ditë para ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që të mbetet kohë që ligjvënësit të konkurrojnë edhe për një mandat”.

“E deri në atë kohë, legjislativi mund ta përfundojë sesionin vjeshtor të punës dhe mund ta aprovojë sidomos projektligjin për buxhetin, pasi që nuk guxon të lihet vakuum në këtë drejtim”,
tha Gashi.

Përderisa PDK-ja nga propozimi i parë për datën, që ishte 30 janari, tani ka lëvizur në datat 6 apo 13 shkurt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet në qëndrimin që këto zgjedhje duhet organizuar më 6 mars.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, tha se përveç buxhetit, Kuvendi duhet të miratojë edhe pakon e reformave në Ligjin për zgjedhjet, pasi që konsideron se zgjedhjet e mbajtura me nxitim, do të lënë hapësira për manipulim nga partia më e madhe në pushtet.

“Për ne është me rëndësi që zgjedhjet, që do të duhej të mbahen, të jenë demokratike, të respektohet vota e qytetarëve të Kosovës, që ata të kenë hapësirë dhe mundësi që t’i dëgjojnë programet e partive politike dhe krejt këto të ndodhin në frymën demokratike e transparente. Mënyra se si po mendohen këto zgjedhje, krijon një përshtypje se jo KQZ-ja, por SHIK-u do t’i numërojë votat”,
tha Arifi.

Me sesionin vjeshtor të Kuvendit pritet të mbyllet mandati i kësaj legjislature. Pas shpërbërjes, brenda 45 ditësh Kosova duhet t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme.

Për t’i përmbushur afatet kushtetuese, më 28 mars do të duhej të konstituoheshin edhe institucionet e reja. Por, bazuar në përvojat e kaluara, zgjedhja e presidentit dhe formimi i qeverisë mund të varen shumë nga arritja e një marrëveshjeje politike për koalicionin e ri qeverisës.

Lexoni edhe këto:
Vlerësimi i KQZ-së përcakton datën e zgjedhjeve
Në pritje të zgjedhjeve
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG