Ndërlidhjet

logo-print
Mungesë strategjie, mungesë kapacitetesh apo mungesë serioziteti? Janë këto dilema që shtrohen nga analistët kosovarë në lidhje me zvarritjet në njohjen e Kosovës.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i dhënë para dy muajsh e gjysmë në favor të Kosovës, nuk solli valë të reja njohjesh, siç parashikuan politikanë dhe analistë të ndryshëm.

Ardian Arifaj, nga Klubi për Politikë të Jashtme, mendon se Kosova e humbi këtë shans të favorshëm për të fituar njohje.

“Frikësohem se kjo është thjesht për shkak të joseriozitetit të Qeverisë së Kosovës, lidershipit politik dhe për shkak se nuk i kushtojnë vëmendje aq sa duhet nevojës së Kosovës për njohje të reja. Frikësohem se nuk e kuptojnë seriozitetin e momentit, që kjo ka qenë faza më e mirë për të mobilizuar sa më shumë vende për ta njohur Kosovën. Dhe, po frikësohem që ky është një shans që e kemi humbur”, thotë Arifaj.

Që nga 22 korriku, kur GJND-ja konstatoi në mendimin e saj këshillëdhënës se shpallja e pavarësisë nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, Kosova është njohur vetëm nga një shtet - Hondurasi, i cili çoi numrin e njohjeve në 70.

Njohësit e së drejtës ndërkombëtare thonë se Kosovës i duhen më shumë se 100 njohje për një anëtarësim eventual në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Analisti Driton Lajçi thotë se për mosnjohje nuk duhet fajësuar Ministria e Punëve të Jashtme. Ai thotë se Kosova nuk ka pasur kapacitete të njëjta për lobim, siç i ka pasur Serbia.

“Ka qenë një betejë e pabarabartë në mes të Kosovës, që ka pasur të drejtë të përfaqësojë dhe të kërkojë njohjen e shumë shteteve të tjera, dhe Serbisë, e cila i është kundërvënë. Kundërvëniet e saj, deri diku, kanë dalë të suksesshme, për arsye se i ka shfrytëzuar trashëgimitë nga ish-Republika Federale e Jugosllavisë. Prandaj, këto favore i ka kapitalizuar në drejtim të lobimit, për të ndalur hovin e vendeve, të cilat është pritur ta njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Lajçi.

Por, Ardian Arifaj nuk mendon se Kosova s’ka kapacitete. Ai fajëson Qeverinë për mungesë strategjie.

“Unë, as nuk kam parë një strategji, e as nuk kam parë që po punohet. Sikur të kishte një strategji, është dashur të japë ndonjë rezultat. Nëse ka ndonjë strategji që ne nuk e dimë, është momenti i fundit që ta shohin vetë udhëheqësit politikë të Kosovës, që është një strategji e gabuar, që nuk po jep rezultate”, nënvizon Arifaj.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk kanë prezantuar ndonjëherë detaje nga strategjia lobuese, nën arsyetimin se nuk duhet bërë të njohura për publikun, për shkak se mund t’iu humbasë efekti.

Ndërkohë, në muajin e kaluar, sa ka mbajtur punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, liderë të Kosovës kanë qëndruar në Nju Jork në kuadër të aktiviteteve lobuese.

Më së gjati ka qëndruar ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili me t’u kthyer në Prishtinë, tha se Kosovën pritet ta njohin të paktën 60 shtete. Por, deri më tash nuk ka arritur ndonjë njohje.

Ardian Arifaj thotë se bisedimet e paralajmëruara mes Kosovës e Serbisë, janë ato që tani po e zvarrisin procesin.

”Të gjithë ata që ndoshta kanë menduar ta njohin Kosovën, do të presin për rezultatet e dialogut, të shohin se çfarë do të sjellë dialogu dhe pas bisedimeve të marrin vendim - a do ta njohin Kosovën apo jo?! Asnjë vend në botë nuk pëson pse e njeh apo nuk e njeh Kosovën. Për ato nuk është çështje urgjente njohja e Kosovës; është diçka që mund ta shtyjnë, ta vonojnë deri në pafundësi, sepse nuk ka kurrfarë ndikimi për të mirë apo të keq në vendet e botës”, shprehet Arifaj.

Por, analisti Driton Lajçi mendon se edhe Kosova ka gjasë që të shfrytëzojë për nevoja të saj rezolutën e miratuar në OKB, e cila bën thirrje për bisedime mes Kosovës e Serbisë.

Topi është në fushë dhe varet se cili është lojtari më i mirë. Serbia tashmë ka nisur ta përdorë këtë, duke thënë 'prisni dialogun, para se ta njihni Kosovën'. Në anën tjetër, Kosova duhet ta përdorë pjesën e parë të rezolutës që e njeh vendimin e GJND-së, se shpallja e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”, thekson Lajçi.

Në bisedimet Kosovë-Serbi, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme i ka dhënë rol lehtësues Bashkimit Evropian. Por, vetë BE-ja është e ndarë, meqë edhe më tej janë 5 shtete që nuk e njohin Kosovën.

Lexoni edhe këtë:
Njohjet - peng i bisedimeve?
XS
SM
MD
LG