Ndërlidhjet

Kërkohet dinamikë në reforma zgjedhore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ndarja e zonës së vetme zgjedhore në disa zona, shuarja e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ulja e pragut zgjedhor nga 5 për qind në 3 për qind, përdorimi i sistemit të votimit me lista të hapura sipas parimit ‘një person, një votë’ dhe pragu prej 40 përqindësh i daljes në votime, janë disa nga rekomandimet, të cilat Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) drejtoi në adresë të aktorëve përgjegjës për reforma zgjedhore në Kosovë.

Mirëpo, përfaqësues të KDI-së thanë se periudha e shkurtër kohore që u ka mbetur partive politike, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor, pamundëson ndryshime rrënjësore në sistemin dhe ligjet ekzistuese.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi nevojën për dinamizmin e procesit të reformave zgjedhore në Kosovë.

“Zgjedhjet janë proces i ndjeshëm dhe nëse ne kemi një afat prej pesë muajsh - bazuar në Kushtetutë - dhe ia lejojmë vetes luksin që dy muaj të merremi me ligjin, atëherë na mbetet një kohë shumë e shkurtër për KQZ-në. Pra, dy muaj me përgatitje teknike me ligjin e ri”, tha Kryeziu pas një debati të zhvilluar mbi reformat zgjedhore në Kosovë.

Përveç çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimin e legjislacionit për zgjedhje, pjesë e diskutimeve ishin edhe autoritetet administrative të procesit zgjedhor në Kosovë.

Përfaqësuesi i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, kërkoi rishikimin e përbërjes aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe tha se duhet siguruar që ky komision të jetë në gjendje që të menaxhojë si duhet procesin e zgjedhjeve të paralajmëruara.

“Do të duhej shikuar nëse KQZ-ja është e gatshme ose në gjendje që të garantojë integritet të zgjedhjeve. Edhe nga pozicioni i herës së kaluar, ku ka monitoruar zgjedhjet, konsideroj se do të duhej menduar krijimin e një mekanizmi brenda KQZ-së, i cili do të merrej me ankesat gjatë ditës së zgjedhjeve”.

“Praktika tregon që po të kishte një mekanizëm që do të ndërhynte menjëherë kur ndodhin keqpërdorimet, mundësia e manipulimeve do të ishte më e vogël”,
tha Makolli.

Thjeshtëzimi i procesit të administrimit zgjedhor u sugjerua, ndër të tjera, edhe nga Komisioni Evropian, i cili monitoroi ecurinë e zgjedhjeve të fundit lokale në vend.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj, shprehu nevojën për shpërbërjen e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) dhe propozoi krijimin e një trupe brenda Gjykatës Supreme, që do të merrej me ankesat e partive politike.

“Një trup i profesionalizuar, i konsoliduar, siç është Gjykata Supreme, do të ishte më kompetent dhe do të funksiononte më mirë, ndërsa mundësitë për keqinterpretime apo manipulime do të ishin shumë më të vogla. Mendojmë se KZAP-i nuk do të duhej të ekzistonte më dhe të funksiononte në kuadër të KQZ-së”, theksoi Çelaj.

Koha që deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë të ndryshohet diçka në përbërjen dhe funksionimin e trupave përgjegjës për administrimin zgjedhor, sipas Kryeziut, mund të jetë shumë e shkurtër.

Ai tha se duhet përqendruar në ndryshimin e legjislacionit ekzistues për t’ua lehtësuar sa më shumë punën administrative këtyre trupave.

“KQZ-ja mund të veprojë me këtë legjislacion që e ka. Por ne, në qoftë se nuk jemi të gatshëm ta ndryshojmë legjislacionin, atëherë duhet t’ia bëjmë të qartë KQZ-së prej tani se do të shkojmë me këtë legjislacion të vjetër, që ajo të fillojë përgatitjet teknike për zgjedhje, në mënyrë që komplikimi apo manipulimi i procesit të mos jetë si rezultat i kohës së mangët, të cilën e ka pasur KQZ-ja për të përgatitur procesin zgjedhor”, tha ai.

Nevoja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që pritet të zhvillohen në vitin e ardhëm, erdhi pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu.

Kërkesa për reformimin e legjislacionit zgjedhor, ndërkaq, ishte bërë e zëshme që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit lokale në vend, të cilat u karakterizuan me një varg paqartësish dhe problemesh, sidomos në aspektin administrativ.

Lexoni edhe këtë:
Mospajtime rreth pragut zgjedhor
XS
SM
MD
LG