Ndërlidhjet

Katastrofa hungareze kërcënon sërish

  • RFE /RL

Fshati Kolontar në Hungari.

Fshati Kolontar në Hungari.

Vullnetarët u janë bashkuar punonjësve hungarezë të specializuar për rastet e emergjencave, në ndërtimin e një muri 600 metra të gjatë, që synon të mbrojë fshatarët dhe zonën rurale nga një rrjedhje e dytë shkatërruese e llumit toksik nga një uzinë alumini.

Diga mbrojtëse u ça një javë më parë, duke u derdhur në disa nga lumenjtë dhe fshatrat në afërsi të uzinës. Shtatë persona vdiqën dhe mbi 1000 u sëmurën nga mbetjet toksike.

Aktualisht pritet një rrjedhje e dytë dhe më e madhe e llumit toksik, pasi diga ka pësuar çarje të reja.

Sekretari i shtetit për çështjet e mjedisit, Zolltan Illes, tha se duhen edhe disa ditë për të përfunduar murin bllokues në afërsi të uzinës. Moti i thatë që ka qenë gjatë ditëve të fundit, besohet se shpejt do të pasohet nga reshje, që do të thotë probleme shtesë për përhapjen e lëndëve toksike.

“Sipas analizave, këto mure padyshim që do të bien. Kjo, pasi lëvizja e ndërtimeve po vazhdon. Kjo shkaktohet nga shtypja që po ushtrojnë mbi muret 2.5 milionë metër kub llum toksik. Nga ana tjetër, muri nuk ka ndonjë mbështetje”, tha Illes.

Kolontar është fshati që më së shumti është goditur nga katastrofa dhe rreth 1000 banorët e fshatit janë evakuuar për shkak të kërcënimit që paraqet rrjedhja toksike.

Katastrofa ka shkaktuar dëme të shumta te popullsia lokale, e cila i druhet faktit se llumi toksik mund të shkaktojë ndotje të përhershme të tokës së tyre bujqësore dhe dëme te shëndeti i njerëzve.

Përveç djegieve në lëkurë, për shkak të përbërjes alakline, bëhet fjalë për material radioaktiv.

Jeno Hefler, banor i fshatit Deveçser, jo larg vendit të katastrofës, përshkruan gjendjen aktuale.

“Është keq, shumë keq. Të dyja këmbët e tim biri janë djegur dhe ai do të operohet. Gjithçka që kam krijuar nga puna e një jete të tërë, është shkatërruar. Askush nuk po thotë asgjë konkrete se çfarë do të ndodhë me ne. Gjendja ime nuk përshkruhet me fjalë, është e pamundur”, tha Hefler.

Automjetet e ushtrisë janë në fshatin Deveçser në pritje për të evakuuar popullsinë e zonës, në rast të një rrjedhjeje të dytë. Inxhinierët thonë se materiali toksik, që është aktualisht pas mureve, është shumë më i trashë se llumi i një jave më parë, çfarë bën që ata të besojnë se lënda toksike nuk mund të rrjedhë në një distancë më të madhe se një kilometër.

Një tjetër rrezik paraqet fakti se balta toksike po thahet e po kthehet në pluhur toksik, që mund të shpërndahet lehtësisht përmes erës. Pluhuri përmban një mori metalesh, mes të cilave dhe arsenik e krom.

Ekspertët e Bashkimit Evropian kanë mbërritur në Hungari për të ndihmuar me dekontaminimin.

Kompania MAL, e cila është në qendër të katastrofës, ka kërkuar nga qeveria lejen për të rifilluar prodhimin, duke e justifikuar me faktin se ndërprerja e prodhimit për një kohë të gjatë, do ta pamundësonte rifillimin e punës.

Qeveria hungareze ka kërkuar ta marrë në dorë drejtimin e uzinës, derisa drejtori është arrestuar. (i.b.)
XS
SM
MD
LG