Ndërlidhjet

logo-print

Nuk merren vesh për Kosovën

  • RFE /RL

Beograd

Beograd

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia sërish nuk janë pajtuar rreth Kosovës. Kjo u bë e ditur nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe presidenti serb, Boris Tadiq, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Beograd.

Ka fusha, ku ashtu siç tha dhe presidenti Tadiq, ne nuk biem dakord, e para së gjithash rreth Kosovës”, tha Klinton.

Megjithatë, ajo ka sjellë në Serbi mesazhin e reformave dhe të pajtimit në Ballkan. Rruga më e mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet Kosovë-Serbi mbetet dialogu, i cili ka marrë mbështetjen e plotë të kryediplomates amerikane.

“Ne besojmë se rezoluta e 9 shtatorit e Asamblesë së Përgjithsme ofron një bazë të mirë për dialog të hapur e të kuptimtë. Nga ky dialog do të përfitojnë njerëzit në Kosovë e Serbia pasi do adresojë problemet praktike të përditshme dhe marrëdhëniet afatgjata mes jush. Dialogu do të ketë ndikim pozitiv te raportet e Serbisë me vetveten, me fqinjët, me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara”, theksoi Klinton.

E në këtë pikë ajo është pajtuar me presidentin serb, i cili ka mbështetur hapjen e dialogut me Kosovën. Tadiq ka theksuar se zgjidhja e konfliktit historik mes shqiptarëve e serbëve mund të bëhet vetëm përmes bisedimeve. Me gjithë gatishmëriunë e tij për bisedime, Tadiq ka theksuar se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

Përveç takimeve me shtetarët serbë, Klinton është takuar dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Mëngjesin e së mërkurës, Sekretarja amerikane e Shtetit do të vizitojë Kosovën, ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit dhe me përfaqësues të bashkësisë serbe në Graçanicë. Departamenti i Shtetit ka njoftuar se zonja Klinton do të takohet dhe me përfaqësuese të shoqatave të grave dhe të rinjve nga të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë.

Kosova do të jetë ndalesa e saj e fundit në turneun ballkanik, derisa Sarajeva ka qenë destinacioni i parë.

Nga kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës, paraditen e sotme, ajo ka deklaruar se ka shumëçka për të humbur nëse nuk tejkalohen problemet aktuale mes etnive të ndryshme. Shpërbërja e Bosnjës nuk është zgjidhje dhe ne kundërshtojmë këdo që do të çojë vendin në këtë rrugë, theksoi vendosmërisht Hillari Klinton.

“Ne mbështesim gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës që të jenë pjesë e një shteti shumetnik dhe demokratik. Ne nuk mbështesim asnjë lloj shkëputjeje apo kërcënimi për shkëputje, pasi është një propozim nga i cili ka vetëm humbje”.

“Shkëputja nuk pasqyron aspak përfundimet e analizës sonë se një Bosnjë-Hercegovinë e bashkuar ka më shumë gjasa që të ecë drejt një të ardhmeje të integruar në Evropë sesa po të jetë e ndarë”,
tha Klinton.

Ajo kërkoi ndryshimin e qasjes së udhëheqësve politikë të Bosnjës si kusht për të ecur përpara, derisa administrata amerikane e sheh integrimin në NATO dhe në BE si element bashkues dhe unifikues për Bosnjën.

Sarajeva ka qenë ndalesa e parë e Klintonit në turneun e saj treditor në Ballkan. Duke folur para qindra studentëve në Sarajevë, Klinton theksoi se është koha që të forcohen institucionet demokratike dhe të thellohet paqja mes fqinjëve.

Pas fjalimit me studentët në Teatrin Kombëtar, shefja e diplomacisë amerikane u takua me përfaqësuesit e presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Pas takimit ajo theksoi se ka kërkuar qartësisht veprime konkrete për të ecur drejt një shkalle më të madhe stabiliteti.

Vizita e Klintonit në Bosnjë vjen pas zgjedhjeve të përgjithshme të 4 tetorit, ku fituesi i presidencës në Republikën Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, ka bërë thirrje të përsëritura për zhbërjen e Bosnjë-Hercegovinës. (i.b.)
XS
SM
MD
LG