Ndërlidhjet

logo-print
“Wall Street Journal”

Shkruan: Xhejms Kirçik, kontribues për Radion Evropa e Lirë dhe redaktor i “New Republic”.



“Nata e errët e fashizmit gjithmonë ka qëndruar mbi Shtetet e Bashkuara, por zbriti vetëm në Evropë”, tha Tom Volf në vitin 1965 dhe kështu është edhe sot.

Komentatorë të ndryshëm kanë pohuar së fundmi se kundërshtimi i shumë amerikanëve ndaj propozimit për ndërtimin e qendrës islamike, dy blloqe nga vendi ku ndodhej Qendra Botërore e Tregtisë, paraqet fanatizëm fetar dhe paranojë.

Por, nëse ndonjë vend është i pllakosur nga fanatizmi në rritje, ai nuk është Amerika, por Evropa, kontinenti ku mirëqenia e shteteve dhe pacifizmi admirohen aq shumë nga liberalët amerikanë.

Vitin e kaluar, rreth 60 % të suedezëve votuan për të ndaluar ndërtimin e minareve, të gjitha minareve, gjithkund, jo vetëm afër vendit ku u kryen sulmet terroriste nga myslimanët radikalë.

Në Belgjikë, Dhoma e Ulët e Parlamentit e miratoi Ligjin për ndalimin e mbulimit në publik, i cili tash pret miratimin në Senat.

Në Francë, ndalesa e tillë u bë ligj javën e kaluar, pas ngecjes në Gjykatën Supreme. Megjithëse ka arsye legjitime për ndalesat e tilla, një pjesë e mbështetjes së tyre vjen nga fanatizmi anti-mysliman.

Në vitet e fundit, e djathta ekstreme dhe partitë kundër imigrantëve kanë bërë shumë punë në mbarë Evropën. Në Suedi, nacionalistët ‘Demokratët Suedezë’ hynë në parlament muajin e kaluar, për të parën herë nga themelimi i partisë në vitin 1988.

Në Britaninë e Madhe, partia e ekstremit të djathtë, Partia Kombëtare Britanike, fitoi pothuaj trefish më shumë vota se në zgjedhjet e vitit 2005, ndërsa siguroi edhe dy ulëse në Parlamentin Evropian.

Në Austri, Partia e Lirisë, që fillimisht drejtohej nga Jeorh Haider, i cili fliste për nazistët, fitoi 17.5 % të votave në vitin 2008.

Në Francë, Fronti Nacional i Zhan Mari Le Pen, i cili e ka vënë në pikëpyetje ekzistimin e dhomave të gazit të nazistëve, doli i dyti në zgjedhjet presidenciale më 2002, duke hyrë në balotazh me presidentin Zhak Shirak.

Tash, e djathta ekstreme mund të rritet në Gjermani, ku ligjet mbi lirinë e shprehjes dhe pragjet parlamentare janë mbajtur jashtë Bundestagut.

Një sondazh i agjencisë DPA tregon se 20 % e votuesve mund të mbështesin një parti anti-myslimane, mjaft sa për të hyrë në parlament.

“Rënia e ulëseve parlamentare në duart e ekstremistëve paraqet tundjen më të madhe në politikën e Evropës që nga rënia e komunizmit”, shkroi Denis MekShejn në “Newsweek”.

Z. MekShejn është anëtar laburist i Parlamentit britanik dhe më herët shërbeu si ministër për Evropën.

Evropianët nuk i shohin shtrembër vetëm myslimanët, por edhe hebrenjtë, të cilët pothuaj u zhdukën nga kontinenti 60 vjet më parë. Sondazhi më i fundit i “Pew Global Attitude” tregon se 50 % e spanjollëve kanë qëndrime të pafavorshme për hebrenjtë.

Për gjermanët shifrat janë 25 %, për francezët 20 % dhe 10 % për britanikët.

Ky antisemitizëm u nënvizua së fundmi nga Komisionari për Tregti i BE-së, Karel De Guht, i cili tha se “as me hebrenjtë e moderuar nuk është lehtë të kesh diskutim racional se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme”.

Pra, kur liberalët amerikanë i kritikojnë homologët e tyre konservatorë si fanatikë që duan të imponojnë fashizmin në Shtetet e Bashkuara, ata e harrojnë atë pjesë të Perëndimit, ku vërtet ka mbetur nostalgjia për fashizmin.

Cilido që ka udhëtuar nëpër Evropë, e di se imazhi, si shembull i progresit dhe i diversitetit etnik e fetar, është vetëm fabrikim në mendjen e liberalëve amerikanë.

Liberalët amerikanë, të cilët nuk e përfillin fanatizmin evropian, ma kujtojnë sugjerimin tallës të skenaristit gjerman, Bertold Breht: “A nuk do të ishte më lehtë për qeverinë që ta shpërndajë popullin dhe të zgjedhë një tjetër”.

Gjatë debatit për xhaminë, shumica e amerikanëve treguan se janë të aftë t’i respektojnë mospajtimet. Janë përsëri evropianët ata, nga impulset e errëta të të cilëve duhet të kemi frikë. (v.p.)
XS
SM
MD
LG