Ndërlidhjet

logo-print

Partitë partnere në koalicionin qeverisës në Kosovë, ndonëse në fund të mandatit të institucioneve aktuale, u përplasën sot në lidhje me privatizimin e PTK-së. Megjithatë, zyrtarë të dy partive e përjashtuan mundësinë që këto përplasje ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke besuar se presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, shpejt do të publikojë datën për zgjedhjet e parakohshme.



Ndërsa po vazhdojnë bisedimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, partitë partnere në koalicionin aktual, PDK-ja dhe LDK-ja, kanë mospajtime në lidhje me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit kishte vendosur sot që çështjen e privatizimit të PTK-së t’ia procedojë Kuvendit të Kosovës, propozim ky që është kundërshtuar nga LDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha duhet të bëhet pas zgjedhjeve të ardhshme, pasi që këto institucione janë në përmbyllje të mandatit.

Për mendimin tonë, kjo punë do të duhej të bëhej pas zgjedhjeve parlamentare, me institucione stabile, të qëndrueshme dhe me ata që do të marrin përgjegjësi në një proces, i cili llogarisim se nuk është aq i ngutshëm që të bëhet në këtë fazë”, tha Beqiri.

Në analiza të ndryshme është parashikuar edhe mundësia që pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, në lidhje me privatizimin e PTK-së, mund të vijë deri te prishja e koalicionit dhe domosdoshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, tha se interes i vendit janë zgjedhjet e parakohshme dhe jo ato të jashtëzakonshme.

“Unë mendoj se jeta e koalicionit aktual nuk varet as nga PTK-ja e as nga të tjerat, por varet nga interesi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe jo në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Krasniqi.

Prishja eventuale e koalicionit për shkak të mosprivatizimit të PTK-së, për Ismet Beqirin e LDK-së do të konsiderohej si shantazh. Andaj, ai nuk beson se PDK-ja dhe kryeministri Thaçi do të jenë në gjendje që ta përdorin këtë çështje si pretekst për të shkuar në zgjedhje të shpejta brenda 45 ditësh.

“Nëse ky është një shantazh nga dikush, ai le ta mbajë për vete. Por, proceset e rëndësishme shtetërore nuk duhet të ndërlidhen në këtë mënyrë, sepse do të dilte diçka joproduktive edhe për vetë atë që eventualisht do të mund ta bënte një gjë të tillë”, theksoi Beqiri.

Para se të shkohet në zgjedhje, Kosovës i duhet buxheti i miratuar për vitin 2011, tha në anën tjetër Ramë Buja, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. Ai nuk sheh ndonjë arsye për prishjen e koalicionit tani, kur Kosova, edhe ashtu, po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk i frikësohemi (prishjes së koalicionit), sepse ka mbetur edhe pak kohë për qeverisjen. Është fakt që tash, shumë shpejt, kjo gjë do të përfundojë, por para se ta aprovojmë buxhetin e vitit 2011 jo se jo. S’e besoj që në këtë kohë do të prishet koalicioni, s’kemi arsye të mëdha për ta prishur”, tha Buja.

Përplasjet ndërmjet PDK-së dhe LDK-së në prag të zgjedhjeve ishin shprehi edhe para dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit lokale. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, tha se ai është shumë afër shpalljes së datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Zyrtarë të PDK-së përmendin si data të mundshme për zgjedhjet e ardhshme 6 dhe 13 shkurtin, kurse LDK-ja 6 marsin, apo siç tha sot Ismet Beqiri, si kompromis ndoshta do të shihej edhe data 27 shkurt.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG