Ndërlidhjet

Pezullohet ndeshja Itali - Serbi


Tifozët serbë gjatë ndeshjes Itali - Serbi, 12 tetor 2010

Tifozët serbë gjatë ndeshjes Itali - Serbi, 12 tetor 2010

Ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian të Futbollit ndërmjet Italisë dhe Serbisë është pezulluar pas telasheve me turmën.

Referi e ndërpreu ndeshjen në Gjenovë pas gjashtë minutash, pasi tifozët serbë hodhën objekte të zjarrta në fushë dhe dogjën flamurin kombëtar shqiptar.

Më herët, portieri i Serbisë, Vladimir Stoilkoviq, u tërhoq nga loja, pasi duket se u abuzua nga tifozët serbë, ndërsa tifozët italianë fishkëllenin kur u këndua himni serb para ndeshjes.

Hedhja e objekteve të zjarrta nga tifozët serbë ka vazhduar dhe kjo ka nxitur pezullimin e ndeshjes. Në stadium kanë qenë të pranishme edhe forcat italiane të rendit për kontrollimin e turmave.

Ndërkaq, Serbia i ka kërkuar falje edhe zyrtarisht Italisë për dhunën e shkaktuar nga huliganët serbë në ndeshjen Itali-Serbi, tha shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini.

Ai tha se homologu i tij serb, Vuk Jeremiq, e ka garantuar gjatë një bisede telefonike se "autoritetet në Beograd do të shtojnë kërkimet për përgjegjësit e dhunës dhe do të arrestojnë kriminelët, që duhet të marrin dënimin e merituar".

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka kritikuar policinë italiane për mënyrën e ndërhyrjes. "Ndërhyrja e policisë italiane mund të kishte qenë shumë më e mirë. Ata nuk është dashur t'i lejojnë tifozët të futen në stadium me sende të forta dhe materialet e tjera që sulmuan". Sipas Daçiqit, kjo nuk do të kishte ndodhur në Beograd.

Por, një tjetër përfaqësues i Qeverisë serbe, sekretari i Shtetit për çështjet e drejtësisë, Sllobodan Homen, e ka lidhur dhunën në Gjenova të Italisë me trazirat dhe dhunën ndaj homoseksualëve dhe marshuesve të tyre, të dielën e kaluar në Beograd.

XS
SM
MD
LG