Ndërlidhjet

Kili: U nxorën xehetarët e parë


Kili
Kili

Në Kili po vazhdon operacioni i shpëtimit të 33 xehetarëve të bllokuar për dhjetë javë, thellë nën tokë. Disa xehetarë tashmë janë sjellë të sigurt në sipërfaqe të tokës, një nga një, nëpërmjet një sonde speciale, e cila tërhiqet nga vinçi.


Ron Synovitz, Courtney Brooks


Në momentin kur u nxor xehetari i parë, Florencio Avalos, mbretëroi një atmosferë gëzimi e hareje. Ai ishte i pari prej 33 xehetarëve që u nxor nga thellësia 700 metra nën tokë.

Derisa ai u tërhoq në sipërfaqe, diku në mesnatë sipas kohës lokale, ekipet e shpëtimit nuk ishin të sigurta se plani i tyre i kujdesshëm do të funksionojë.

Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, i cili ishte në vendin e ngjarjes kur u nxor xehetari i parë, Florencio Avalos, tha se një operacion i tillë i shpëtimit nuk kishte ndodhur asnjëherë.

“Florencio më ka shprehur falënderimin që ai dhe kolegët e tij e kishin ndjerë derisa ishin të bllokuar gjatë këtyre 69 ditëve, pra falënderim për Kilin dhe për shtetasit e tij. Nga momenti i parë, ata kanë ndjerë se nuk janë vetëm. Ata i dëgjuan fjalët tona dhe përpjekjet tona për të bërë çdo gjë të mundshme njerëzore”, tha presidenti Pinera.

Shpëtimi i xehetarëve nga miniera e arit dhe e bakrit, e nxehtë dhe me lagështi, në pjesën veriore të Kilit, në shkretëtirën Alakama, është vlerësuar si mrekulli, por ende ka shumë punë për t’u bërë derisa operacioni të përfundojë tërësisht.

Xehetarët po nxirren një nga një, nëpër një gyp të ngushtë. Zyrtarët thonë se ndoshta do të duhen dy ditë që të gjithë ata të nxirren dhe të sillen të sigurt mbi tokë.

Xehetari i dytë që u nxor nga thellësia, Mario Sapulveda, u tha gazetarëve se bllokimi i gjatë nën tokë e kishte forcuar besimin e tij në Zotin dhe besimin e tij në atë se çka mund të bëjnë njerëzit, kur ata punojnë së bashku.

“Besoj se nëse ne kemi rast në jetë të hasim në diçka të këtillë, ne mund të ballafaqohemi edhe me situata të tjera gjithashtu. Por, jam shumë i kënaqur që kjo më ndodhi mua, sepse unë besoj se ky është një moment, në të cilin mund të bëhet ndryshim. Besoj se në këtë vend duhet të kuptohet se ky është një rast për ndryshime. Duhet të ketë shumë reforma në tregun e punëtorëve”, tha xehetari Sapulveda.

Presidenti Pinera premtoi se mësimet nga bllokimi i xehetarëve nuk do të harrohen kurrë.

“Xehetarët treguan, ashtu siç treguan edhe viktimat e tërmetit në muajin shkurt në Kili dhe ata që po punojnë për rikonstruktimin e shkatërrimeve nga tërmeti, se kur Kili bashkohet, ne jemi të aftë të bëjmë gjëra të mëdha. Shpirti i vendit tonë shkëlqen më së shumti në kohë të vështira”,
tha Pinera.

Xehetarët tashmë e mbajnë rekordin botëror për gjatësinë e kohës që kanë mbijetuar nën tokë, pas aksidentit të minierës.

Në 17 ditët e para të bllokadës së tyre, mendohej se të gjithë ata ishin të vdekur. Por, kontakti ishte krijuar kur një gyp i hollë kishte depërtuar në dhomën nëntokësore, ku gjendeshin xehetarët.

Nëpër këtë gyp të hollë ishin dërguar edhe furnizimet për xehetarët.

Interesimin e jashtëzakonshëm për fatin e xehetarëve e tregon edhe prania e më se 1300 gazetarëve nga e gjithë bota në sipërfaqe të minierës. Aty janë edhe të afërmit e xehetarëve të bllokuar.

Georgina Galleguillo, mbesa e xehetarit Jorge Galleguillo, u tha gazetarëve se gëzimi i familjes së saj ishte i jashtëzakonshëm.

“Është gëzim i madh. Zemra më rrah më shpesh dhe kjo ju bën sikur të qani. Por, gëzimi është i madh”, tha ajo.

Psikologët kanë tërhequr vërejtjen se disa nga xehetarët mund të ballafaqohen me vështirësi në javët dhe muajt e ardhshëm, për shkak të traumave pas këtij stresi të jashtëzakonshëm. (f.b.)

Lexoni edhe këtë:
Kili: Minatorët po luftojnë me depresionin




XS
SM
MD
LG