Ndërlidhjet

logo-print

Kush kryeson CEFTA-n, Kosova apo UNMIK-u?


CEFTA, vendet anëtare

CEFTA, vendet anëtare

Autoritetet kosovare kanë bërë të gjitha përgatitjet që vitin e ardhshëm të drejtojnë Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore - CEFTA. Por, Ministria e Ekonomisë në Serbi ka paralajmëruar se UNMIK-u do të menaxhojë këtë mekanizëm dhe jo institucionet e Kosovës. Përfaqësues të administratës së Kombeve të Bashkuara thonë se është ende herët për të dhënë sqarime lidhur me çështjen në fjalë.

Kosova është e gatshme që, vitin e ardhshëm, të udhëheqë Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA, thonë zyrtarë qeveritarë.

Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se autoritetet kompetente tashmë kanë përgatitur programin për të kryesuar me CEFTA-n, i cili, sipas tij, është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare të këtij mekanizimi.

“Sa u përket institucioneve tona, unë besoj se janë mjaft të përgatitura që të kryesojnë CEFTA-n dhe të menaxhojnë gjatë tërë vitit 2011”.

“Është edhe programi që është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s dhe në këtë drejtim nuk shoh kurrfarë problemi. Do të thotë, Kosova do të jetë udhëheqëse e CEFTA-s, ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e CEFTA-s“,
thekson Keqa.

Gjatë këtij viti, me këtë mekanizëm ndërkombëtar po udhëheq Serbia.

Së fundmi, Ministria e Ekonomisë së Serbisë ka paralajmëruar se, vitin e ardhshëm, me CEFTA-n do të kryesojë UNMIK-u, si anëtar dhe nënshkrues i kësaj marrëveshjeje në emër të Kosovës.

Kryesimi i CEFTA-s bëhet në bazë të parimit rotativ dhe sipas radhitjes alfabetike.

Ndërkaq, zëdhënësi i administratës së UNMIK-ut, Jacob Quinn, thotë për Radion Evropa e Lirë se është herët për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje. Sipas tij, çdo zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët, është e pranueshme edhe për këtë administratë.

Nëse problemet vazhdojnë, u takon sekretariatit dhe palëve të dalin me propozime që do të ishin të pranueshme për të gjithë”, thotë Quinn, duke shtuar se UNMIK-u, në këtë rrafsh, do të veprojë në pajtueshmëri me mandatin që ka.

Në korrik të vitit 2007, Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.

Pasi Kosova atëbotë nuk e kishte të zgjidhur çështjen e statusit, ish-shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, në dhjetor të vitit 2006, në Bukuresht, ka nënshkruar marrëveshjen, e cila ka filluar të zbatohet tetë muaj më vonë.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se situata politike në Kosovë tashmë ka ndryshuar. Meqë vendi ka shpallur pavarësinë, sipas tyre, me Marrëveshjen për Tregti të Lirë duhet të menaxhojnë institucionet e Kosovës.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se autoritetet vendore duhet të bëjnë presion te faktori ndërkombëtar dhe vendet anëtare të CEFTA-s, në mënyrë që të gjendet mundësia që gjatë kryesimit të këtij mekanizmi, Kosova të ketë rolin vendimtar.

“Është e tejkaluar çështja që të udhëhiqet nga institucionet ndërkombëtare, në këtë rast nga UNMIK-u. Mendoj se duhet të gjendet një konsensus, i cili do të kënaqë edhe palën kosovare, edhe palët tjera ndërkombëtare, në mënyrë që Kosova të mos e humbasë rastin e udhëheqjes së këtij mekanizimi të rëndësishëm ndërkombëtar”, shprehet Shahini.

Beogradi zyrtar që nga viti 2008 nuk e respekton marrëveshjen CEFTA. Nga ajo kohë, Serbia, por edhe Bosnja, kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave të doganave, nga ato të UNMIK-ut në ato të Kosovës.

Mallrat me këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër këto vende.

Lexoni edhe këtë:
Mosfunksionimi i CEFTA-s: Kosova pëson krizë
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG